Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, realizoi një takim përmbajtësor dhe të rëndësishëm me kongresmenin amerikan Pete Sessions, anëtar i Partisë Republikane dhe Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së.

Në këtë takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, me fokus të veçantë në mundësitë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Zëvendëskryeministri i parë theksoi se mbështetja e ShBA-së ka qenë dhe mbetet thelbësore për zhvillimin demokratik dhe euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.

“Nga takimet dhe vizitat zyrtare paraprake, por edhe nga kjo e tanishmja, kam kuptuar se jemi të bekuar me miqësinë dhe përkrahjen e ShBA-së. Marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së do të intensifikohen në interes të qytetarëve dhe shoqërive tona respektive,” u shpreh Izet Mexhiti.

Ai shfrytëzoi rastin që në emër të qytetarëve dhe institucioneve të Maqedonisë së Veriut të shprehë mirënjohjen dhe falënderimin për mbështetjen e përhershme dhe të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj vendit tonë.

Ky takim është pjesë e angazhimeve të zëvendëskryeministrit të parë për forcimin e partneriteteve strategjike dhe avancimin e interesave të Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare.