Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kërkuar demilitarizimin e plotë të një pjese të madhe të Sirisë jugore.
Ky njoftim mund t’i shtojë gjasat për konflikt mes Izraelit dhe udhëheqësisë së re të Sirisë pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad, raporton televizioni BBC.
Në një fjalim para kadetëve ushtarakë izraelite të dielën, Netanyahu tha se Izraeli nuk do t’i lejojë forcat e grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS) e as ushtrinë e re siriane, e cila është duke u formuar, që “të hyjë në zona në jug të Damaskut”.
“Ne e kërkojmë demilitarizimin e plotë të Sirisë jugore në provincat Quneitra, Deraa dhe Suweida nga forcat e regjimit të ri. Po ashtu, ne nuk do të tolerojmë asnjë kërcënim ndaj komunitetit Druze në Sirinë jugore” – paralajmëroi kryeministri izraelit.
Ai tha gjithashtu se forcat izraelite do të mbeten për afat të pacaktuar brenda territorit sirian që e kanë marrë nën kontroll nga rënia e Assadit dhjetorin e vitit të kaluar – që do të ishte ndryshim në strategjinë izraelite.
Deri më tani, Izraeli e ka përshkruar hyrjen e tij në zonën e demilitarizuar neutrale të vëzhguar nga OKB-ja në Rrafshnaltën e Golanit si masë të përkohshme për ta garantuar sigurinë e izraelitëve në anën tjetër të kufirit.
Izraeli e mori pjesën më të madhe të Golanit nga Siria gjatë luftës së vitit 1967 dhe më vonë e aneksoi atë. Ky veprim nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara më 2019.
Presidenti i përkohshëm sirian, njëkohësisht udhëheqës i grupit HTS, Ahmed al-Sharaa, është munduar që ta sigurojë Izraelin se ai nuk dëshiron konflikt dhe se është i gatshëm që ta mbajë në fuqi marrëveshjen e vjetër për mospërfshirje mes dy vendeve, e arritur pas një lufte tjetër më 1973.
Sharaa gjithashtu ka theksuar se nuk do të lejojë që Siria të shfrytëzohet si bazë për sulme kundër Izraelit. Sidoqoftë, ai po ashtu i ka bërë thirrje Izraelit që të tërhiqet nga zona neutrale që e ka marrë nën kontroll, përderisa po mundohet ta shtrijë sovranitetin në mbarë territorin e Sirisë./Nacionale