Trupat e mumifikuar të Egjiptit të Lashtë kanë një erë “të ëmbël”, “drusore” dhe “pikante”, sipas një studimi të ri.

Ky studim është i pari që analizon në mënyrë sistematike aromat e trupave të mumifikuar, duke kombinuar teknika të ndryshme shkencore dhe shqisore, përfshirë një “hundë” elektronike dhe ekspertë të trajnuar për nuhatje.

LEXO EDHE:
Pse mizat tërhiqen nga njerëzit?

Në kërkimin e udhëhequr nga shkencëtarë të University College London (UCL) dhe Universitetit të Lubjanës në Slloveni, u studiuan nëntë trupa të mumifikuar egjiptianë.

Gjetjet, të publikuara në revistën Journal of the American Chemical Society, ofrojnë të dhëna të reja mbi materialet e përdorura në procesin e mumifikimit dhe mbi mënyrën se si këto teknika dhe përbërës kanë evoluar me kalimin e kohës.

Studimi gjithashtu hedh dritë mbi praktikat e ruajtjes së mumieve nga muzetë gjatë shekujve.

Ekipi hulumtues shpjegon se aroma ka qenë një element i rëndësishëm për egjiptianët e lashtë gjatë procesit të mumifikimit. Aroma të këndshme lidhen me pastërtinë e trupave hyjnorë, ndërsa aromat e pakëndshme konsideroheshin shenjë e prishjes dhe kalbëzimit të trupit.

Edhe sot, rreth 5000 vjet më vonë, konservatorët shpesh përshkruajnë aromën e trupave të mumifikuar si të këndshme. Kjo vjen nga përdorimi i rrëshirave dhe vajrave të pishës, kedrit dhe dëllinjës, si dhe rrëshirave aromatike si mirra dhe temjani, të cilat krijonin një përzierje balsamike me erë të ëmbël.

Për të analizuar aromat e trupave të mumifikuar, shkencëtarët përdorën një kromatograf gazi të kombinuar me spektrometri masive, një pajisje që mat dhe identifikon përbërjet kimike të emetuara nga objektet e lashta.

Gjithashtu, një grup ekspertësh të trajnuar për nuhatje analizuan aromat bazuar në cilësinë, intensitetin dhe këndshmërinë e tyre. Duke kombinuar këto metoda, studiuesit arritën të dallonin nëse një aromë vinte nga përbërësit origjinalë të mumifikimit, nga produktet konservuese të përdorura më vonë nga muzetë apo nga dekompozimi natyror i trupit për shkak të prishjes nga myku, bakteret apo mikroorganizmat e tjerë.

Studiuesit theksojnë se aroma mund të përdoret si një metodë jo-invazive dhe jo-shkatërruese për të analizuar dhe kategorizuar kimikisht mbetjet e lashta.

Përveç ofrimit të një kuptimi më të thellë mbi procesin e mumifikimit dhe materialet e përdorura, gjetjet e studimit mund të ndihmojnë edhe në përfshirjen e vizitorëve në muze përmes eksperiencës së aromave historike.

Ekipi kërkimor po planifikon të rikrijojë aromën e trupave të mumifikuar për të sjellë një eksperiencë më autentike në muzetë e ardhshëm, duke krijuar të ashtuquajturat “peizazhe aromatike”.

Dr. Cecilia Bembibre, nga UCL, tha: “Dy aspekte të këtij studimi më bëjnë përshtypje. Së pari, aromat zbuluan informacion të ri, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të shqisave tona për të kuptuar të kaluarën. Së dyti, ndërsa shumica e studimeve mbi trupat e mumifikuar janë kryer në muzetë europianë deri më tani, ne punuam ngushtë me kolegët egjiptianë për të siguruar që ekspertiza dhe përvoja e tyre perceptuese të përfaqësoheshin. Së bashku, zhvilluam një qasje etike dhe me respekt për studimin e trupave të mumifikuar.”

Profesor Ali Abdelhalim, drejtor i Muzeut Egjiptian në Kajro, tha: “Për egjiptianët e lashtë, mumifikimi ishte një praktikë mortore e rëndësishme për të ruajtur trupin dhe shpirtin për jetën e përtejme. Ai përfshinte një ritual të hollësishëm të balsamimit me vajra, dyllë dhe balsame.”

Ai shtoi se përdorimi i teknikave dhe materialeve të ndryshme në periudha të ndryshme historike ofron të dhëna mbi epokën, vendndodhjen dhe statusin shoqëror të të ndjerit.

Ky studim jo vetëm që na ndihmon të kuptojmë më mirë të shkuarën, por gjithashtu hap rrugën për teknika të reja në konservimin dhe interpretimin e objekteve historike për brezat e ardhshëm.