Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka depozituar pak ditë më parë në Gjykatën e Lartë kërkesën për të hequr masën e sigurisë “arrest me burg”.

Kërkesa e tij do të shqyrtohet ditën e sotme nga Gjykata e Lartë në orën 10:00. Në seancën e sotme do të shqyrtohet rekursi i Metës dhe Monika Kryemadhit.

Gjykata ka caktuar që të shqyrtojnë rekursin Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.

Ilir Meta, është arrestuar prej tetorit të vitit të kaluar dhe ai kërkon një masë më të butë sigurie. Ai ka kërkuar t`i hiqet masa e arrestit me burg, në lidhje me postin e tij si drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe situatës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara Cez-Dia, lobimi i ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.

Gjykata e Posaçme e shkallës së parë dhe ajo e apelit kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke bërë që Meta prej afro 4 muajsh të mbahet në paraburgim te 313-ta.