Këshilli Gjyqësor: Gjyqtarja që i ka shqiptuar masën edukative drejtuesit të automjetit Vasil Jovanov nuk e ka shkelur ligjin dhe as nuk ka qenë e njëanshme

Këshilli Gjyqësor nuk gjeti shkelje ligjore nga ana e gjyqtares Daniela Aleksovska Stojanovska nga Gjykata Penale, e cila i caktoi masën edukative institucionale drejtuesit të automjetit Vasil Jovanov, i cili përplasi për vdekje Frosina Kulakovën, në procesin gjyqësor ku ai po gjykohej për drogë.
Është propozuar që raporti t’i dorëzohet Prokurorisë dhe Këshillit të Prokurorëve, për shkak se Këshilli Gjyqësor ka vërejtje lidhur me fjalën përfundimtare të prokurorit që e kishte ndjekur penalisht Jovanovin në atë rast.
Sipas Këshillit Gjyqësor, masa edukative institucionale është në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe gjyqtarja nuk ka vepruar në kundërshtim me të.
Raporti nga vizita duhet t’i dorëzohet Prokurorisë në Shkup, pasi janë konstatuar disa vërejtje lidhur me veprimet e saj, me qëllim që të njoftohen për gjetjet. Po ashtu, është propozuar që raporti t’i dërgohet edhe Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Sa i përket pretendimeve për anshmëri në vendimmarrjen e gjyqtares dhe ekzistencën e arsyeve për përjashtimin e saj nga rasti, grupi i punës vlerëson se rrethanat e përmendura nuk janë të një natyre të tillë që të shkaktojnë dyshime për anshmërinë e saj dhe nuk përputhen me arsyet ligjore për përjashtim,” deklaroi Danka Ristova, anëtare e Këshillit Gjyqësor.
Ajo gjithashtu tha se është ngritur pyetja se përse Jovanovit i është hequr masa e paraburgimit, kur atij iu shqiptua një masë edukative në vend të një dënimi me burg. Sipas gjyqtares, kjo është bërë sipas detyrës zyrtare dhe është një praktikë e vendosur. Megjithatë, Këshilli nuk ka mundur ta konfirmojë këtë pretendim.
“Raste të tilla, ku një i mitur më i ri dënohet me masë edukative institucionale, janë shumë të rralla, si në Shkup ashtu edhe në gjykatat e tjera. Vendimi për heqjen e paraburgimit për të akuzuarin nuk është ankimuar”, shtoi Ristova.
Nga ana tjetër, Ivica Nikolovski, anëtar i Këshillit Gjyqësor, tha se është dështuar në mbrojtjen e integritetit të gjyqtares, duke theksuar se përgjegjësia nuk mund të transferohet e tëra te gjykatat.