Kina kundërshton idenë e presidentit amerikan Donald Trump që SHBA të marrë kontrollin mbi Rripin e Gazës, njoftoi sot Ministria e Jashtme e Kinës.
“Kina mbështet fuqishëm të drejtat legjitime kombëtare të popullit palestinez,” deklaroi zëdhënësi i ministrisë, Geng Shuang.
Më herët, Trump propozoi që administrata amerikane të marrë kontrollin mbi Gazën, ku Izraeli ka kryer operacione ushtarake për më shumë se 16 muaj si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit në tetor 2023.
Trump gjithashtu propozoi që palestinezët nga Gaza të zhvendosen në Egjipt dhe Jordani, një ide që u refuzua kategorikisht nga liderët arabë dhe palestinezë.
Shumica e liderëve botërorë mbështesin një zgjidhje me dy shtete – Izraelin dhe Palestinën, që do të bashkëjetonin pranë njëri-tjetrit.
“Gaza është pjesë e territorit palestinez dhe jo një monedhë politike për pazare,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Kina njoftoi se do të vazhdojë të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar për të promovuar zgjidhjen me dy shtete si mënyrën e vetme të qëndrueshme për një zgjidhje të drejtë të çështjes palestineze.