(Rreth një reagimi të BFI-së kundër asetit kombëtar, Dr. Idriz Oranës)

Nga Mr. Eset Shaqiri

Në një status të doktorit të nderuar Idriz Orana, të publikuar në FB-un e vet, ku ndjehet përkrahja e sinqertë e tij për një iniciativë të BDI-së për të zhvilluar vetingun brendapartiak, e thotë edhe një të vërtetë shumë të madhe si dhe të faktuar tashmë: ky veting urgjentisht duhet të bëhet edhe në BFI dhe të fillojë nga krerët e saj të cilët tashmë po dëshmohet se nuk janë të pastër?
Kush është Dr. Idriz Orana? Për këta të BFI-së dr. Orana qenka mjek i rëndomtë, ndërsa për shqiptarët Doktor Idriz Orana është aset kombëtar i padiskutueshëm. Është njëri prej mjekëve më të dashur dhe më të respektuar. Respektin e fitoi sidomos kur u angazhua natë e ditë për të shëruar ushtarë të plagosur të UÇK-së gjatë luftës së vitit 2001, atëherë kur UDB-a vepronte fuqishëm në terrenin shqiptar!
Po pse e Dr. Idriz Orana propozoi që edhe BFI-a të përfshihet në procesin e vetingut aq shumë të dëshiruar nga krerët e BDI-së? Sepse, tashmë BFI-ja (në variantin më të butë) është dëshmuar se vepron si “organ” i BDI-së! Të gjitha mjegullnajat rreth kësaj të vërtete u hoqën përgjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar. Kemi hoxhë, që na u prezantua edhe si krahu i djathtë i Shaqir Fetait i cili u prangos me një shumë të madhe të parave të cilat i shfrytëzonte duke blerë vota për BDI-në. Vetë këta të BFI-së thanë se ato para kanë qenë të fitrit dhe zeqatit të grumbulluar dhe ende pa u dorëzuar në BFI? U publikuan shumë fakte e fotografi që dëshmonin për angazhimin e myftive të Shaqir Fetait nëpër shtabe të BDI-së. Myftitë e Shaqir Fetait më shumë rrinin nëpër shtabe të BDI-së se sa në zyret e veta. Të gjitha këto faktohen me video-inçizime dhe fotografi të nxjerra në opinion! E gjitha kjo, e thënë kështu, i përket variantit më të butë, ndërsa varianti më i ashpër do të ishte sikur të kërkohej vetingu në BFI për ta pastruar nga zgjatimet e UDB-së brenda këtij Institucioni fetar që i përket të gjithë myslimanëve të Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm llumit të militantëve partiakë të BDI-së. Kjo është e vërteta, për këtë të vërtetë flitet madje edhe nëpër organizmat e ndryshëm ndërkombëtarë që veprojnë në vend. Ky është perceptimi real dhe, këtë të vërtetë nuk ka fuqi në botë që mund ta demantojë, aq më pak gjirizi i BFI-së që na nënshkruhet me “zyra për informim pranë Rijasetit” të BDI-së! Po, e tërë kjo është e vërteta që dhemb, siç është e vërtetë e pamohueshme se VETINGU I VËRTETË I BDI-së BËHET VETËM NË BFI! Kjo e vërtetë nuk më dhemb doktorit, kjo e vërtetë, Idriz Oranës i dhemb vetëm ajo të cilën e ka publikuar në statusin e vet: BFI duhet të lirohet nga këta shërbëtorë, të cilët nuk i shërbejnë fesë por BDI-së! BFI-së duhet t’i kthehet dinjiteti, devotshmëria dhe besimi – HOXHALLARËT MERITOJNË NJË JETË TË DINJITETSHME! Vetëm këtë e ka thënë dhe kjo brengë e tij e sinqertë e trazoi BFI-në e Shaqir Fetait i cili mendon se me organe të personalizuar e të improvizuar mund të fshihet e vërteta për gjithçka që thuhet sot për BFI-në!
Dhe, në vend se të skuqen para kësaj të vërtete ata “trimërohen” dhe i reagojnë doktorit (por jo dhe UDB-së që u nxjerr dokumenta për “liderin” e tyre) duke i sugjeruar që të ketë kujdes sepse BFI-ja e paska çuar në haxh si mysafir të Mbretit! Në këtë mysafirllëk doktor Orana ka shkuar si propozim i ish-reisul ulemasë legjendar H. Sulejman ef. Rexhepit, të cilin, gjithë myslimanët në RMV e kishin jo vetëm LIDER shpirtëror por edhe shok të ngushtë, siç e kishte edhe Shaqir Fetai që pastaj do t’ia ngulë thikën pas shpine!
Po si e mendojnë ata të BFI-së së Shaqir Fetait: haxhi është kompromis për ta mbyllur gojën para dukurive imorale e amorale që ndodhin në Institucionin tonë fetar? Do me thënë, të gjithë ata persona që propozohen nga BFI për të shkuar në haxh si mysafirë të mbretit duhet të jenë gojëmbyllur, përkrahës dhe bashkëpjesëmarrës në degradimin dhe degjenerimin e Institucionit fetar islam? Sikur edhe XHENETIN ta ket të garantuar, doktor Orana por edhe mbarë myslimanët e vendit, nuk mund të jenë indiferent karshi këtij degjenerimi që po ndodhë ditë e më shumë në BFI. Fatmirësisht, doktor Orana nuk ka qenë i përzgjedhuri i Shaqir Fetait, por i atij që ky ia futi thikën pas shpine! Mysafirët e Shaqir Fetait, miqtë e tij të ngushtë, bashkëpartiakët e tij, madje edhe prej atyreve që i ka shpërblyer me haxh, sot janë në LISTËN E ZEZË AMERIKANE. Ky selam amerikan duhet të kuptohet edhe nga BFI-ja e Shaqir Fetait dhe jo të ngriten e t’i bëjnë karshillëk SHBA-së!
Ia kishin renditur nja katër pika, të cilave duhet përgjigjur me se nuk bën:
1. BFI-ja nuk ka organe që vendosin për rrugëtimin e saj! BFI-ja ka organe të personalizuar të Shaqir Fetait, prej të cilave ka që nuk i njeh as vetë Kushtetuta e BFI-së.
2. Qenka niveli i ulët të merremi me reisul ulemanë! Nuk ka mysliman në Maqedoninë e Veriut që nuk duhet të merret me reisul ulemanë, aq më tepër kur ai është ilegjitim dhe ilegal! Shaqir Fetai nuk është vullnet i myslimanëve të Maqedonisë por është zgjedhje e përkohëshme e BDI-së? Dihet si u zgjodh ky farë “lideri” për reis! Këtë e di Izet Mexhiti, Blerim Bexheti, Musa Xhaferi, Ali Ahmeti, i cili personalisht i ka kërkuar falje Sulejman Rexhepit (ky është akoma gjallë) për faktin që karavanit të deveve ia nxori në krye gomarin! Këtë të vërtetë e dinë edhe Qani Nesimi, e di Salim Sulejmani, e di Abedin Imeri (të gjithë këta myfti), pastaj e dinë edhe drejtues të tjerë të organeve dhe sektoreve, si Muhamer Veseli, e di Mustafa Dauti, e di Shaban Sulejmani, e dinë të gjithë ata që brenda natës morën një urdhër “nga lart” që të tubohen me gjithë vula në Gostivar dhe ta shpallin Shaqir Fetain “lider”! Më vonë do të zhgënjehet Ali Ahmeti dhe do t’i lejojë edhe dy puçe që do t’ia bëjnë Shaqir Fetait por që ky, me ndihmën e policisë maqedonase, ia doli që të vazhdojë me reisllëkun! Hej, a mos kemi reis policor?! Dhe, a nuk janë këto fakte të pamohueshme që e justifikojnë një veting të thellë në BFI?!
3. BFI-ja mu në këtë kohë paska arritur komoditetin më të lartë…! Si guxon që një institucion me relevancë të pamohueshme të synojë “komoditetin e vet”! Çka do të thotë kjo? Që të tjerët të punojnë për institucionin dhe kjo ta bëjë kokrrën e sefasë? Turp dhe nevojë imediate për një veting gjithëpërfshirës të BFI-së. Aty ka parazitë që mendojnë se parazitllëku është devotshmërti!
Fare në fund e ftojnë që të shkojë në BFI dhe të bindet se nuk qenka ashtu “siç e paskan dezinformuar”! Janë shkruar deri më sot nja 5-6 libra voluminoze me shkrime kundër Shaqir Fetait dhe BFI-së së tij të bdizuar. Këto kanë qenë informata për opinionin e gjërë në vend e jashtë vendit të cilat asnjëherë nuk janë demantuar, asnjëherë nuk është debatuar e as polimizuar me to dhe, propozimi i doktorit për të mirën e BFI-së dikujt i dogji! Nuk ka mysliman në vend që tashmë nuk e di se, pa u çëruar nga egjri, pa u pastruar nga llumi ai Institucion, aty nuk futen myslimanët e sinqertë dhe të pastër në shpirt, jo vetëm doktor Orana por, edhe qindra e mijëra myslimanë të vendit të cilët janë shumë mirë të informuar se kush është BFI-ja aktuale dhe çfarë po ndodhë aty brenda! Pa u deshaqirizuar dhe pa u debdizuar BFI-ja, mjerisht, ky Institucion do të ngelë si shpuzë thithëse e të gjitha urrejtjeve të myslimanëve të vendit dhe më gjërë.