Kosova feston sot 17 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.
Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike.
Por, shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është në harresë diplomatike – e njohur nga shumë shtete, por jashtë disa organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare.
Shteti i fundit që e njohu ishte Izraeli në vitin 2021. Kjo njohje ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë. Para saj, shteti i fundit që e njohu, ishte Barbadosi në vitin 2018. Por, intensiteti i njohjeve filloi të binte që nga viti 2015.
Përvjetori i 17-të i shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, do të shënohet me shumë aktivitete të organizuara nga institucionet qendrore dhe lokale.