Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, së bashku me ministrin e Punëve dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministrin e Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe ministrin për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, që sot dhe në ditët e ardhshme do të marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në Republikën Federale të Gjermanisë.
Konferenca e 61-të e Mynihut do të mbahet nga 14 deri më 16 shkurt, duke mundësuar dialog të nivelit të lartë mbi sfidat kryesore në politikën e jashtme dhe sigurinë, të cilat janë çështje aktuale për liderët politikë.
Në konferencë do të marrin pjesë presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski, nënpresidenti amerikan, Xhej Di Vans dhe sekretari shtetëror, Marko Rubio.
Gjatë konferencës, pritet që kryeministri Mickoski të zhvillojë takime me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta, me kryesuesin e Konferencës së Mynihut, ambasadorin Kristof Hojgens, me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, si dhe me liderë të tjerë politikë.
Kryetari i Qeverisë maqedonase, Mickoski, do të jetë folës dhe do të marrë pjesë në ngjarjen përmbyllëse të konferencës, e cila do t’i kushtohet negociatave të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe në panelin e diskutimit të organizuar nga Forin Polisi, ku do të flasë për gjeopolitikën, sigurinë energjetike dhe rolin e ndryshimeve në nivel global.
Mickoski do ta shfrytëzojë këtë mundësi për të lobuar dhe për të prezantuar një pasqyrë reale të procesit të negociatave të anëtarësimit të vendit në raport me perspektivën evropiane, si dhe për të paraqitur planin e zhvillimit dhe arritjet ekonomike, si pjesë e përpjekjeve për progres ekonomik dhe siguri për qytetarët.