Kurti: Qytetarët presin nga ne që të përmbushim obligimin për formimin e legjislaturës së nëntë si fitues të zgjedhjeve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se javën e ardhshme pritet që të bëhen të ditura rezultatet përfundimtare për subjektet politike në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, raporton Anadolu.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përkushtim të shtuar për të finalizuar procesin e numërimit të votave, pasi sipas tij, qytetarët po presin që të përmbushet obligimi për formimin e institucioneve nga ta si fituesit e zgjedhjeve.
“Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë”, ka thënë Kurti duke u bërë thirrje anëtarëve të kabinetit qeverisës që deri sa të vije ai moment të vazhdojnë punën me të njëjtin ritëm.
Kurti vlerësoi pjesëmarrjen masive të qytetarëve në këto zgjedhje, përfshirë edhe diasporën, e cila ka shënuar nivelin më të lartë të votimit ndonjëherë.
“Të gjithë presim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve, për të përmbyllur kësisoj një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve”, theksoi Kurti.
Ai u shpreh se gjatë mandatit të tij, qeveria ka qenë e angazhuar në përmirësimin e shërbimeve për bashkatdhetarët, përfshirë digjitalizimin dhe lehtësimin e procedurave, si njohja e patentë shoferëve në shtetet ku ata jetojnë.
KQZ-ja ka përfunduar procesin e numërimit të votave të rregullta të 9 shkurtit ndërsa sot pasdite pritet të nisë numërimi i votave nga diaspora, të cilat janë rreth 100 mijë.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është partia më e votuar me 40.8 për qind të votave, pasur nga Partia Demokratike me 22.05 për qind, Lidhja Demokratike me 17.64 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma me 7.46 për qind.