Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në krah të Presidentes Vjosa Osmani. Në një prononcim për mediat, Kurti thotë se ky 17-vjetor Pavarësie e ka gjetur Kosovën me një ekonomi 3-fish më të madhe, si dhe me dhënien e shembullit për siguri.

“Dimri i ftohtë, por zemrat e ngrohta teksa urojmë njëri-tjetrin për 17-vjetorin e 17 Shkurtit, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës si shtet sovran demokratik, me integritet territorial, me progres social, me avancim demokratik dhe me rritje shembullore ekonomike.

Ekonomia e Kosovës është 3-fish më e madhe se para 17 vjetëve. Por në të njëjtën kohë edhe jemi shembull për siguri, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, kur kemi parasysh të drejtat e qytetarëve, mirëqenien e tyre, entuziazmin popullor dhe sukseset e Republikës tonë”, shprehet Kurti.

Më tej, Kryeministri i Kosovës thotë se mund të jenë krenarë që i kanë dalë hakut sakrificës dhe flijimit të aq shumë veprimtarëve që qëndruan për Kosovën në kohë të vështirë në mënyrë që sot qytetarët të gëzojnë kohë të mira.

“Padyshim që mund të jemi krenar që i kemi dalë hakut sakrificës, flijimit të aq shumë dëshmorëve dhe martirëve, veteranëve të UÇK-së dhe të gjithë veprimtarëve të cilët qëndruan në të kemi kohë të vështira në mënyrë që ne të kemi kohë të mira”, u shpreh Kurti.