Kuvendi sot miratoi shumë propozime të ligjeve për ndryshime dhe plotësime siç janë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrëdhënie pune, me procedurë të shkurtër, ndryshime dhe plotësime të Ligjit për mundësi të barabarta të grave dhe burrave dhe ndryshime dhe plotësime të Ligjit për punë me deviza.

Me ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, personat e zgjedhur ose të emëruar nga organe kompetente mund të vazhdojnë ta kryejnë funksionin e tyre edhe pas përmbushjes së kushteve për pensionin e pleqërisë, por më së shumti deri në 67 vjet. Sipas propozuesve, deputetëve të VMRO-DPMNE-së, me ndryshimet pritet krijimi i mundësisë për tejkalim të shpejtë dhe me kohë të problemit me deficitin e gjykatësve dhe prokurorëve publikë dhe në mënyrë konsekuente me këtë përmirësimin e efikasitetit të procedurave gjyqësore, si dhe qasjes në drejtësi për qytetarët. Për opozitën, propozimi është antikushtetues dhe në kundërshtim me parimin e barazisë.

Deputetët, gjithashtu, sot i votuan edhe propozim ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për punë me deviza, Ligjit për regjistrimin e pagesave me para të gatshme, Ligjit për financim të njësive të vetëqeverisjes lokale, Ligjit për bankat, Ligjit për inspektimin financiar në sektorin publik dhe Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje.

Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për planifikim urban, Ligjit për shërbime postare dhe Ligjit për menaxhim me prona të konfiskuara, interes në pasuri dhe mjete të marra në procedurë penale dhe kundërvajtëse, ishin votuar me procedurë të shkurtër.

Kuvendi gjithashtu do të deklarohet për Propozimin e ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Avokatin e Popullit dhe Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik, të cilët janë, gjithashtu, me procedurë të shkurtër.

Disa deputetë në seancën e sotme kanë komentuar nenin me të cilin Avokati i Popullit mund të shkarkohet nëse për shkak të sëmundjes dhe arsyeve të tjera të arsyeshme nuk mund të kryejë detyrën për më shumë se gjashtë muaj. Sipas deputetëve Talat Xhaferi, Fatmir Bytyqi dhe Sonja Mirakovska, kjo është bazë për diskriminim dhe është e papranueshme. Deputetët e VMRO-DPMNE-së janë përgjigjur se besojnë se po manipulohen reagimet, gjegjësisht se nuk është ky qëllimi i ndryshimeve.

Kuvendi sot miratoi dhe dorëzoi në lexim të dytë edhe Propozimin e ligjit për ndryshimin e Ligjit për ruajtjen dhe mbrojtjen nga lëngje dhe gazra të ndezshëm, Propozimin e ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për dokumentet e udhëtimit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Propozim -ligjit për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen ndërkombëtare dhe të përkohshme, dhe propozim -ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zonat zhvillimore T]teknologjike industriale.

Pas debatit tre orësh, Mbledhja e 34-t e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ishte ndërprerë, ndërsa për pikat të cilat mbetën të papërpunuara zëvendës-kryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski, njoftoi se do të njoftojnë në mënyrë plotësuese.