Diskutime të shumta janë bërë te Barcelona se si do t’i qasen afatit kalimtar të verës, për ta zëvendësuar Robert Lewandowskin.

Sulmuesi polak duket se do të mbetet te Barça edhe për një sezon, por raportimet e fundit nga Spanja bëjnë me dije se nga klubi do mundohen që ai të mbetet edhe për një sezon tjetër pas tij.

Lewandowski do të jetë 37-vjeçar në fillim të sezonit të ardhshëm, ndonëse numrat e tij të arritura këtë sezon janë jashtë normales së moshës së tij.

Ai aktualisht po e udhëheq garën e “Pichichit”, derisa është kthyer në formën e tij optimale nën urdhërat e Hansi Flickut.

Deri më tani këtë sezon, polaku ka 32 gola të shënuar dhe tri asistime në 33 paraqitje në të gjitha garat.

Megjithatë mosha e tij është një shqetësim i vogël për blaugranasit, me klubin nga Katalonia që është ende në probleme financiare.

Lewandowski kishte një klauzolë në kontratën e tij, që nëse do të luante 45 minuta në gjysmën e ndeshjeve, atij do t’i ofrohej një kontratë e re nga klubi.

Befasia është se Barcelona do t’i ofrojë atij një kontratë dyvjeçare dhe jo vetëm një vit shtesë.

“Sport” raporton se kjo do të ishte një shpërblim për formën e tij dhe për profesionalizmin e treguar.

Barcelona është e lidhur me sulmuesin e Newcastle Unitedit, Alexander Isak, sulmuesin e Leipzigut, Benjamin Sesko dhe atë të Liverpoolit, Luis Diaz. Por që të arrijë ndonjë marrëveshje me njërin nga këta të tre, së pari i duhet të shesë ndonjë lojtar.