LSDM propozon ligj për uljen e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18% në 5% dhe heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore

Sot, si opozitë përgjegjëse, propozojmë ndryshime konkrete ligjore që do të mbrojnë dhe përmirësojnë standardin e jetesës. Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicioni kanë dorëzuar një projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për TVSH-në, me të cilin kërkojmë uljen e taksës për energjinë elektrike nga 18% në 5%, si dhe heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, duke e ulur atë nga 5% në 0%.
Me këto ndryshime të propozuara, synojmë zbatimin sistematik të dy prej shtatë masave ekonomike të LSDM-së, deklaroi deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
Ulja e TVSH-së për energjinë elektrike do të thotë fatura 13% më të ulëta, pra energji më e lirë për mbi 600 mijë familje. Për një faturë prej 3.000 denarësh, qytetarët do të kursejnë rreth 400 denarë – një shumë që, në vend që të shkojë në buxhetin e shtetit, do të mbetet në buxhetet familjare.
Nga ana tjetër, heqja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë do të sjellë uljen e çmimeve të ushqimeve, duke reduktuar kostot për produktet bazë me 5%.
Pavarësisht premtimeve prej muajsh për masa që do të ulnin çmimet, qeveria ka pësuar një dështim total në politikat e saj. Të ashtuquajturat “shporte festive kundër krizës” kanë qenë një fiasko! Ngrirja e paralajmëruar e marzhave ende nuk është miratuar!
Ndërkohë që qeveria vonohet në reagimin ndaj çmimeve të ushqimeve, qytetarët tashmë po paguajnë më shumë edhe për energjinë elektrike. Edhe pse u krijua Ministria e Energjisë, vitin e kaluar ajo realizoi vetëm 50% të investimeve kapitale të planifikuara. Prodhimi i energjisë vendase nuk po rritet, duke na bërë edhe më të varur nga importi i shtrenjtë. Në nëntor, qeveria planifikoi të mos importonte energji (0 GWh), por realisht importoi 351.3 GWh. E njëjta situatë u përsërit në dhjetor, kur plani për import ishte sërish 0 GWh, ndërsa u importuan 425.7 GWh.
Sipas Fatmir Bytyqit, qeveria refuzon të marrë masa konkrete, prandaj LSDM dhe koalicioni po ndërmarrin hapa për t’i realizuar ato.
“Me dorëzimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar, po nisim procesin e zbatimit të masave që do ta lehtësojnë drejtpërdrejt barrën financiare të qytetarëve. Nëse VMRO-DPMNE kujdeset vërtet për standardin e jetesës, duhet ta mbështesë këtë propozim. Çdo vonesë do të thotë një tjetër goditje për buxhetet familjare. Çdo votë ‘PËR’ do të jetë një votë për zgjidhje reale dhe të prekshme.
Maxhoranca në pushtet deri tani e ka përdorur procedurën e përshpejtuar si një mjet për të kaluar marrëveshjet partiake jashtë institucioneve. Por sot, për herë të parë, ata kanë mundësinë ta përdorin këtë rrugë të shpejtë për diçka që do ta ndiejë çdo qytetar – për fatura më të ulëta të energjisë dhe ushqime më të lira,” deklaroi Bytyqi.