Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka nisur festën në kryeqytet, pasi rezultatet preliminare e vendosin atë si forcën e parë politike në vend.

Mbështetësit e LVV-së janë mbledhur në sheshet kryesore të Prishtinës për të festuar këtë rezultat, pasi lideri i partisë, Albin Kurti, në një konferencë për media shpalli fitoren.

“Jemi të parët, ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë, demokratike dhe progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë dhe ka theksuar se kjo fitore është rezultat i punës së qeverisë së tij në mandatin e kaluar.

Ndërkohë, procesi i numërimit të votave po vazhdon, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se për shkak të një problemi teknik me platformën elektronike, rezultatet po mblidhen manualisht nga vendvotimet.