Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari i ardhshëm konservator i Gjermanisë, Friedrich Merz kanë rënë dakord gjatë një takimi në Paris për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet franko-gjermane, ka thënë një burim i afërt me Merz për Reuters.
“Kishte një marrëveshje të madhe dhe pikënisje të shumta për nisma të përbashkëta”, ka thënë burimi, duke shtuar se ka pasur një atmosferë miqësore gjatë takimit të tyre të mërkurën në Pallatin Elysee.
Macron, i cili të martën u takua me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Uashington, i informoi udhëheqësit e BE-së mbi rezultatin e bisedimeve më herët të mërkurën.
Merz, konservatorët e të cilit dolën të parët në zgjedhjet e parakohshme javën e kaluar, pritet të përpiqet të formojë një koalicion me socialdemokratët e kancelarit aktual të Gjermanisë, Olaf Scholz, të cilët dolën të tretët në zgjedhje.
Merz ka thënë në mënyrë të përsëritur se Evropa duhet të bashkohet përballë një administrate të dytë Trump dhe duhet të krijojë shpejt një aftësi të pavarur mbrojtëse.