Mbreti Mohammed VI i Marokut u ka kërkuar qytetarëve që këtë vit të mos blejnë dele për therje gjatë festimeve të Kurban Bajramit, për shkak të një rënie të madhe të tufës së vendit dhe çmimeve të larta të bagëtive.

Në një mesazh të lexuar në televizionin shtetëror Al Aoula, monarku vuri theksin te inflacioni rekord dhe ndryshimet klimatike si faktorët kryesorë që kanë çuar në rritjen e çmimeve dhe mungesën e deleve. “Angazhimi ynë për t’ju mundësuar të përmbushni këtë rit fetar në kushtet më të mira shoqërohet me detyrën për të marrë parasysh sfidat klimatike dhe ekonomike me të cilat përballet vendi ynë,” shkroi ai.

Mbreti, i cili është edhe autoriteti më i lartë fetar në Marok, paralajmëroi se therja e bagëtive në këto kushte do të rëndonte financiarisht shumë familje, veçanërisht ato me të ardhura të ulëta.

Kurban Bajrami, i cili këtë vit mbahet në qershor, është një festë tradicionale për myslimanët në të gjithë botën, ku therja e bagëtive është pjesë qendrore e ceremonive. Megjithatë, kostoja e lartë e një deleje ka bërë që shumë familje marokene të përballen me vështirësi financiare për të ndjekur këtë traditë.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, reshjet e shiut këtë vit janë 53% nën mesataren e tre dekadave të fundit, duke shkaktuar një tkurrje prej 38% të kopesë së deleve dhe bagëtive që nga viti 2016. Për të përballuar krizën, qeveria marokene ka hequr detyrimet e importit dhe TVSH-në për bagëtinë dhe mishin e kuq, si dhe ka importuar bagëti nga vende si Rumania, Spanja dhe Australia.

Kjo është hera e parë në pothuajse 30 vjet që Maroku u kërkon qytetarëve të heqin dorë nga therja e deleve për Kurban Bajram, një vendim që pasqyron realitetin e vështirë ekonomik dhe klimatik me të cilin po përballet vendi.