Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën elektorale në një atmosferë madhështore në mesin e mijëra aktivistëve dhe mbështetësve në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka falënderuar të gjithë qytetarët për entuziazmin, energjinë dhe dashurinë ndaj Kosovës, si dhe për përkushtimin dhe besimin e tyre në vizionin dhe programin e PDK-së dhe Bedri Hamzës.

“Ne kemi program! Programin tuaj! Por, kemi edhe Njeriun! Njeriun tuaj! Bedri Hamzën! Njeriun më të duhur dhe më të përgatitur për ta zbatuar këtë program të jashtëzakonshëm, kryeministrin ma të mirë që mund ta ketë Kosova sot. Ju e njihni, Bedriu është familjar i ndershëm, profesionist me integritet dhe lider që e mban fjalën! Ai e ka dëshmuar kompetencën e tij në të kaluarën dhe po e dëshmon edhe sot me arritje të pamohueshme dhe rezultate konkrete. Vula e profesionalizimit të tij është në secilin projekt transformues që ka ndodhur në Kosovë në dy dekadat e para të lirisë. Bedri Hamza ngriti pagat dhe pensionet në të kaluarën. Bedri Hamza e forcoi ekonominë tonë. Bedri Hamza gjithmonë i realizoi premtimet e tij. Dhe nga e hëna, Bedri Hamza do ta bëjë Kosovën ma mirë!”, ka thënë Krasniqi.

Lideri i PDK-së theksoi se Hamza dhe ekipi i tij janë gati për ta filluar një kapitull të ri e ma të mirë për Kosovën, andaj atij i duhet vota e qytetarëve të Kosovës.

“24 orët e ardhshme janë vendimtare. Pesha e përgjegjësisë tashmë është në supet e secilit prej nesh. Andaj, ju ftoj që të ju shkruani miqve tuaj. Bisedoni me familjarët, shokët e kolegët. Mobilizoni të gjithë që i njihni për të votuar nesër. Sidomos bashkëqytetarët që më parë kanë votuar për parti të tjera. Shpërndajeni mesazhin tonë të shpresës dhe unitetit. Thuajuni që na duhet besimi i tyre. Thuajuni t’ia japin një mundësi Bedri Hamzës. Thuajuni të votojnë për Partinë Demokratike të Kosovës dhe numrin 131. Faleminderit për përkushtimin, punën dhe shpirtin që ia dhatë kësaj fushatë të jashtëzakonshme. Po. Sonte kemi festë. Por festa e madhe, festimi i vërtetë do të jetë nesër. Nesër në mbrëmje, kur Kosova do të vendosë t’ia japë Bedri Hamzës mundësinë për të udhëhequr. Dhe të hënën, me votën dhe besimin tuaj, Kosova do të filloj një kapitull të ri. Një kapitull ma të mirë. Sepse, Kosova Mundet Ma Mirë!”, ka kërkuar ai.