Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar lidhur me faturat e larta të energjisë elektrike, duke theksuar se shteti do të ndërmarrë masa për të mbrojtur qytetarët nga padrejtësitë dhe keqpërdorimet.

“Mjaft më me padrejtësi, shteti ndërmerr masa! Nuk duhet të ketë fatura të pasakta për energjinë elektrike! Matësit nuk duhet të mbeten të pakontrolluar për 7 vite, ndërsa qytetarët të paguajnë fatura të pasakta,” theksoi Mexhiti.

Ai njoftoi se do të vendoset një kontroll i rreptë mbi faturimin, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të raportojnë çdo ankesë.

“Një trup i pavarur shtetëror do t’i shqyrtojë të gjitha ankesat në mënyrë të drejtë dhe transparente. Parregullsitë nuk do të tolerohen, shteti qëndron në mbrojtje të qytetarëve!” deklaroi Mexhiti.