Në një prononcim për media trimi i ndryshimeve në “državën Severna”, Arben Taravari ka thënë se:
“VLEN është i gatshëm të bisedojë për gjithçka.
Për fat të keq, në periudhën e kaluar shumë tema të ndjeshme vihen nën qilim. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për pakon e masave të cilat janë të pazgjidhura në 20-30 vitet e fundit dhe në pako t’i zgjidhim, pse këtu të mos jenë edhe stema edhe himni dhe 20 përqindëshi si dhe çështje tjera etnike nëse ka dhe të fokusohemi në ekonominë, eurointegrimet, antikorrupsionin, pagat më të mira, jetën më të mirë”…theksoi Taravari.
Po ku ishin këta trima të ndryshimit shumë vite më parë kur u miratuan me votat e tyre ndryshimet kushtetuese, kur këta pseudopatriotë pasi morën urdhër nga ish premieri Zajko, i tërhoqën amandamentet për fshirjen e 20% nga kushtetuta dhe i votuan ato me 20% e paprekshëm në emër të eurointegrimeve!
Sot, karta e ndryshimit që po përdorin vredistët para opinionit shqiptar është djegur e shkrumbuar dhe nuk pinë më ujë për t’i yshtur militantët e saj se ata janë ndryshimi me gjepura dhe sajesa turbofolk për barazinë e gjuhës shqipe me maqedonishten e Mickos dhe të Filipçes.
Lidhur me bisedimet fiktive për ndryshimet e himnit dhe flamurit të “državës” premieri Micko është kundërpërgjigjur kryekomunarit Bili dhe ministrit Taravari se nuk kanë biseduar me aleatët e VREDI-t, as nuk do diskutojnë për ndryshimin e himnit dhe të flamurit, ku ai me këtë rast “ia preu me sëpatë” gënjeshtrën e sajuar të kartës nacionaliste të ndryshimit se gjoja po vinte bashkë me ta në qeverinë e koalicionit.
Sa herë që vredistët duan të tregohen atdhetarë dhe përçues të ndryshimit llokoçisin ujin para shqiptareve, ku kryekomiti Micko, ia pret me shpatë nismat e tyre të stisura të ndryshimit si kërkesa atdhetare para shqiptarëve.
Kësisoj, duke u bazuar në tabanin popullor dhe shprehjen popullore që ka ngritur për njerëzit që nuk i mbajnë fjalët ku thotë: “Prit me muaj e prit me vjet, pushka e Lilës s’po kërcet”!
Shprehje kjo që sot i atribuohet VRREDI-t për mosmbajtje të premtimeve, të cilët edhe pse nuk kanë këllqe u zotuan se brenda 6 muajve jo vetëm që do të bëhen ndryshimet kushtetuese, por do të shlyhet edhe nofka e turpit siç është 20% nga kushtetuta.
Por, duke parë realitetin në sy dhe jo me syze miopi mund të konstatojmë se pushka e VREDI-it nuk po kërcet as sot dhe as mot!
Medai Shaholli