Mickoski: Gjërat duhet të zgjidhen në mënyrë sistematike, ajo që ndodhi është rezultat i zgjidhjeve ad hok
Kryeministri Hristijan Mickoski, sot, në konferencën për shtyp theksoi se disa struktura për ta përforcuar strukturën e tyre politike në mënyrë kadrovike kanë intervenuar në kuadër të prokurorisë dhe gjyqësorit për rastin e javës së kaluar në bulevardin “Partizanski Odredi” në Shkup, ku jetën e humbi 22 vjeçarja Frosina Kulakova.
Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve, lidhur me debatin publik në shtëpinë ligjvënëse, të cilën e ka inicuar grupi i deputetëve të koalicionit qeveritar pas aksidentit të javës së kaluar, Mickoski theksoi se gjërat duhet të zgjidhen në mënyrë sistematike, ndërsa jo ad hok si deri tani.
“Gjithë atë që ne si grup parlamentar i Koalicionit planifikojmë të propozojmë, do ta propozojmë shumë shpejt. Ajo që mund të them është se gjërat duhet të zgjidhen në mënyrë sistematike, jo ad hok. Ajo që ndodhi është rezultat i zgjidhjes ad hok të çështjeve në drejtim pozitiv, por edhe negativ. Ky shembull, për fat të keq, ku një jetë e re njerëzore u largua shumë shpejt, duhet të na ndërgjegjësojë të gjithëve dhe mbi të gjitha të marrin përgjegjësinë ata që për të forcuar pushtetin e tyre politik, ndërhynë në kuadrin e organeve të prokurorisë dhe drejtësisë. Është diçka që duhet të na paralajmërojë ne tani dhe brezat pasardhës, sepse gabimet ndonjëherë mund të jenë fatale. E keni parë se si një njeri i egër që drejtonte me veturën mori një jetë të re”, tha Mickoski.
Kryeministri shtoi se këto ditë ka marrë mesazhe edhe për disa raste të ngjashme, për të cilat tha, duhet të hetohen më tej.
“Atë që po marr në mesazhe këto ditë është se ka edhe disa raste të tjera që duhet të hetohen, të ngjashme me këtë ose që mund të jenë të ngjashme me këtë. E gjithë kjo është rezultat i mungesës së zgjidhjeve tona sistematike. Duhet të kemi zgjidhje sistematike që të mos na ndodhin aksidente të tilla dhe ata nekrofilë politikë, njerëz që vendosin të marrin pikë politike për këtë rast, duhet t’ia lënë nderit dhe ndërgjegjes së tyre”, shtoi Mickoski.
I pyetur nëse Qeveria planifikon ndryshime të reja të Kodit Penal, kryeministri tha se po shqyrton edhe atë mundësi.
“Është duke u shqyrtuar edhe kjo mundësi, si dhe harmonizimi me Raportin e Misionit Vlerësues të dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe në kuadër të praktikës evropiane, sigurisht që po e shqyrtojmë dhe ky është kushti ynë i ambicies për të qenë pjesë të familjes evropiane. Këto nuk do të jenë ndryshime në Kodin Penal për shkak të të cilave ne kemi disa marrëveshje politike me dikë për parashkrimin dhe amnistinë e të ngjashme, por do të jenë në frymën e asaj që kërkon nga ne Bashkimi Evropian dhe procesi i negociatave”, ka thënë Mickoski.
Në pyetjen lidhur me sigurinë në komunikacion dhe gjobat në komunikacion të cilat janë ulur nga qeveria e kaluar, Mickoski theksoi se qëndron në qëndrimin e tij për gjetjen e një zgjidhjeje sistematike, të cilën tha se e sheh në qytet të sigurt dhe autostrada të sigurta.
“Nuk dua të kthehem mbrapa në kohë dhe t’ju kujtoj Besa Transin, Llaskarcën e kështu me radhë, sepse këto janë ngjarje që dua t’i fshij nga kujtesa ime, ku vdiqën dhjetëra njerëz, pse dhe si nuk do të doja të flas për ta tani. Unë i qëndroj qëndrimit që duhet gjetur një zgjidhje sistematike dhe këtë e shoh në një qytet të sigurt, autostrada të sigurta etj. Nëse arrijmë të shpëtojmë një jetë, e kemi kryer misionin tonë si politikanë”, tha Mickoski.
Të premten në shtëpinë ligjvënëse do të mbahet debati publik për ndryshimet ligjore për forcimin e sigurisë në komunikacion. Grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së, “Vlen” dhe ZNAM dje kanë dorëzuar në Kuvend kërkesë për mbajtjen e debatit publik me qëllim të analizimit dhe përcaktimit të nevojës për ndryshimin e dispozitave ligjore për rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion. Anëtarët e Komisionit me 11 vota “pro” votuan që të premten të mbahet debat publik me temën “Analiza dhe konstatimi i nevojës për ndryshimin e rregulloreve ligjore për forcimin e sigurisë në komunikacion”.
Nisma për debat publik vijoi pas aksidentit tragjik të javës së kaluar ku humbi jetën studentja 22-vjeçare nga Negotina, Frosina Kulakova. Ajo është goditur në një vendkalim për këmbësorë në bulevardin “Partizanski Odredi” në Shkup më 29 janar nga 20-vjeçari Vasill Jovanov, për të cilin raportohet se ka qenë duke vozitur në gjendje të dehur, pa patentë shoferi dhe ka kaluar në semafor të kuq. Ngjarja ka shkaktuar bujë në publik, sidomos pasi mësohet se autori ka qenë më herët në konflikt me ligjin dhe në momentin që ka kryer krimin ishte ende i lirë. Ai do të përgjigjet për krimin më të rëndë në fushën e sigurisë në komunikacion dhe atë me paramendim. Hetimin për veprën për të cilën dyshohet Jovanov, i cili aktualisht po vuan paraburgimin 30 ditor në Burgun e Shkupit, dje në një konferencë për media e ka bërë të ditur prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski.
Sipas këtij kualifikimi të veprës autori sipas Kodit Penal mund të marrë dënim me burg nga katër deri në 20 vjet.