Kryeministri Hristijan Mickoski sot nga Velesi, u bëri thirrje të gjitha partive parlamentare që të punojnë së bashku për reforma në sistemin e drejtësisë, pas reagimit të liderit të opozitës, Vanko Filipçe, në lidhje me iniciativën për interpelacionin ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

– Procesi duhet të jetë inkluziv dhe të ketë konsensus shoqëror. Ne nuk duam që vetëm ne të kemi të drejtën ekskluzive për të bërë këto ndryshime.

I bëj thirrje të gjithë deputetëve në Kuvend, nëse bien dakord që të shpërbëhet ky Këshill Gjyqësor që ata e votuan, të votojnë kur të vijë pika në rendin e ditës.

Ata duhet të shkarkojnë këta anëtarë të Këshillit Gjyqësor dhe më pas së bashku, përmes një procesi inkluziv, të gjejmë njerëz që do të monitorojnë dhe do të identifikojnë gjyqtarët që abuzojnë me pozitat e tyre dhe janë shkaktarët e vendimeve të kontestueshme në disa procese që nuk duhet të ndodhnin, tha Mickoski pas dorëzimit të apartamenteve për familjet në nevojë në Veles.

Mickoski shtoi se priste që nga LDSM të ishin më racionalë në deklaratat e tyre. – Mendova se do të qëndronim së bashku për të siguruar një konsensus kombëtar dhe për të punuar së bashku për ndryshimet.

Të mos jetë njëanshëm, të mos na akuzojnë se po bëjmë diçka që është pjesë e koalicionit në Qeveri. I ftoj të gjitha partitë parlamentare që të punojnë së bashku në këtë proces.

Të jetë inkluziv dhe të mos duket sikur po veprojmë vetëm, tha Mickoski. Sipas tij, është i nevojshëm një konsensus shoqëror për ndryshime dhe punë të përbashkët. – Por, nuk mund të bëhet që shkaku të bëhet zgjidhja.

Shkaku i kësaj gjendjeje në drejtësi është qeveria që ka qenë atje për shtatë vjet dhe pas vendimeve të saj që kanë pasur shumë polemika dhe skandale, veçanërisht në drejtësi.

Nuk dua t’ju kujtoj për ndryshimet e kaluara të Kodit Penal me flamurin evropian, shtoi kryeministri.

Lideri i LDSM, Vanko Filipçe, reagoi dje ndaj njoftimit të kryeministrit Mickoski se deputetët e VMRO-DPMNE do të paraqesin iniciativë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

Ai mendon se nevojiten reforma thelbësore në sistemin e drejtësisë, që do të sigurojnë një drejtësi të pavarur dhe efikase, që do të sjellë drejtësi.

– Nuk duhet të lejojmë që drejtësia, që kërkojnë qytetarët, të kthehet në një partiakizëm të ri dhe okupim përmes shkarkimit të Këshillit Gjyqësor nga pushteti, shkruajti dje Filipçe në faqen e tij në Facebook, duke kërkuar që hapat e ardhshëm dhe reformat në drejtësi të bëhen me konsensus të të gjitha partive në Kuvend.

Grupet parlamentare të partive në pushtet VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM sot paraqitën në Kuvend një interpelacion për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, të cilët zgjidhen nga Kuvendi.