Kryeministri Hristijan Mickoski dje mbajti fjalim në konferencën “CPAC” në Uashington, ku shfrytëzoi rastin për ta njohur publikun amerikan me monumentet historike dhe kulturore të Maqedonisë.
“Maqedonasit janë shumë tradicionalë, i duan familjet e tyre, ndoshta jemi pak, por komuniteti maqedonas në SHBA është një pjesë shumë e rëndësishme e shoqërisë amerikane. E di që ata e mbështetën presidentin Trump gjatë zgjedhjeve, janë konservatorë dhe e di që do të vazhdojnë ta mbështesin presidentin Trump. Dhe ajo që do të shtoja, e që është e rëndësishme, është se edhe ne u zgjodhëm si qeveri e re me një shumicë të madhe tetë muaj më parë,” tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke e përshkruar shoqërinë maqedonase si multietnike, ku dy të tretat janë maqedonas dhe një e treta përbëhet nga shqiptarë, vllehë, serbë, turq dhe të tjerë.
“Ne kemi një diasporë të madhe në mbarë botën, pothuajse të barabartë në numër me ata që jetojnë në atdhe,” tha Mickoski.
Duke e përshkruar Maqedoninë si zemrën e Ballkanit dhe portën juglindore të Evropës, Mickoski theksoi se si e tillë ajo ishte në qendër të rrugës së migrantëve drejt Evropës pak kohë më parë.
“Ne ishim në ‘front’ dhe luftuam kundër migracionit ilegal, duke e mbrojtur Evropën nga migrantët e paligjshëm,” tha Mickoski, duke shtuar se pikërisht ky është sot fokusi kryesor edhe i administratës së presidentit amerikan Donald Trump.
Kryeministri Mickoski foli edhe për partneritetin strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë, duke theksuar se vendi ynë është një nga shtetet me kontributin më të madh në NATO për kokë banori.
“Ne ndajmë mbi 2 përqind, jemi të përkushtuar dhe mbështesim politikat e presidentit Trump dhe besojmë se 2 përqind duhet të jetë kufiri më i ulët, jo më i larti,” tha kryeministri maqedonas Mickoski në tubimin e konservatorëve amerikanë në Uashington.
Publiku e priti me duartrokitje komentin e moderatores së intervistës, e cila theksoi se pikërisht kryeministri Mickoski ishte i vetmi në Konferencën e Paqes në Mynih që duartrokiti fjalimin e nënpresidentit amerikan Vens.
“Për mua, ai ishte një moment historik dhe sipas mendimit tim modest, ndoshta disa politikanë evropianë do të zemërohen me mua, por ai fjalim ishte shumë frymëzues. Pas fjalimit, disa nga të pranishmit e kritikuan, duke e konsideruar si ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve sovrane,” vërejti Mickoski.
“Që nga fillimi i pavarësisë sonë nga ish-Federata Jugosllave, kemi pasur dy synime strategjike. Së pari, të bëhemi anëtarë të plotë të NATO-s dhe së dyti, të bëhemi anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian. U bëmë anëtarë të NATO-s, por para kësaj ndryshuam flamurin, ndryshuam valutën, ndryshuam Kushtetutën, ndryshuam emrin tonë, sepse një nga fqinjët tanë u bë anëtar i NATO-s para nesh dhe e keqpërdori veton për të përmbushur kërkesat bilaterale. Nëse kjo nuk është ndërhyrje në punët e brendshme, atëherë çfarë është?” pyeti Mickoski, duke theksuar se standardet e dyfishta vazhdojnë edhe sot.
“Nuk mund të bëhemi anëtarë të BE-së, sepse sërish jemi nën presion për të ndryshuar Kushtetutën tonë. Nëse Kushtetuta nuk është çështje e brendshme e një vendi sovran, atëherë pyes veten çfarë është? A është kjo e drejtë? Nëse dikush kritikon fjalimin, i cili sipas mendimit tim modest ishte shumë frymëzues, duhet të shikojë veten në pasqyrë dhe të shohë çfarë po bën. Vlerat evropiane nuk janë bilaterizimi i procesit të anëtarësimit në BE,” përfundoi kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën gjatë tubimit më të madh vjetor të konservatorëve amerikanë në Uashington.