Ministri i Industrisë dhe Tregtisë së Rusisë, Anton Alikhanov deklaroi se largimi i disa kompanive perëndimore nga Rusia ka krijuar mundësi të konsiderueshme për kompanitë vendase, raporton Anadolu.
Alikhanov foli për gazetarët në kuadër të “Forumit të Sigurisë Kibernetike në Financë” që po mbahet në qytetin rus Yekaterinburg.
Ai foli për sanksionet e reja të Bashkimit Evropian (BE) që ndalojnë importet e aluminit nga Rusia. “Sipas mendimit tim nuk do të ndikohemi shumë. Vitet e fundit kemi reduktuar dërgesat atje. Ne do të kërkojmë tregje alternative”, tha Alikhanov.
Lidhur me kompanitë perëndimore që kanë gjithnjë e më shumë gjasa të kthehen në tregun rus si rezultat i bisedimeve që kanë filluar midis SHBA-së dhe Rusisë, Alikhanov tha: “Industria në përgjithësi ka pasur mundësi të mëdha për rritje pas daljes së kompanive”.
Ministri rus tha se nuk dëshirojnë t’i lëshojnë avantazhet në fjalë. “Nuk presim kthimin e askujt me krahë të hapur. Duhet të paguajnë një çmim për veprimet e tyre. Ne do të përgatisim vizionin tonë kur të ketë një udhëzim të përshtatshëm”, shtoi Alikhanov.