Ministria e Administratës: BDI-ja shpërndan dezinformata për Mexhitin, Inspektorati s’mund t’ua marrë kompetencat ministrave

Nga Ministria e Administratës thonë se “BDI-ja shpërndan dezinformata”, në lidhje me kumtesën ku thuhet se i janë marrë kompetencat ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, përcjell TV21. Nga kjo Ministri thonë se pohimet e BDI-së se Inspektorati i Administratës ka gjetur parregullsi në MJPH janë të pavërteta.
“Inspektorati i Administratës Shtetëror nuk ka kompetenca për t’ua marrë kompetencat ministrave, as për udhëheqjen e hetimeve për korrupsion- këto janë në domenin e autoriteteve gjyqësore, të cilat BDI i ka bllokuar me vite për t’u mbrojtur nga përgjegjësia. Ajo që ka ndodhur realisht ka qenë një inspektim i rregullt në Drejtorinë për Mjedis Jetësor, i kryer në përputhje me Planin Vjetor të Punës për vitin 2024. Kjo mbikëqyrje ka të bëjë ekskluzivisht me respektimin e procedurave ligjore dhe nuk ka asnjë lidhje me akuzat e bëra nga BDI”, thonë nga Ministria e Administratës.