Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani, sot pati takim me të dërguarin e posaçëm të Hungarisë për Ballkanin Perëndimor, Ambasadorin Zholt Bunford, në të cilën u konfirmua bashkëpunimi i ngushtë dhe dinamik mes dy vendeve mike.

Në fokusin e bisedimeve ishte dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut dhe zbatimi i Agjendës së reformave në kuadër të Planit të rritjes së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Ministri Murtezani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga Hungaria, veçanërisht e dukshme dhe e zëshme gjatë kryesimit të tyre të fundit me Këshillin e BE-së.

Murtezani dhe Bunford ranë dakord se është e nevojshme të vazhdojnë proceset reformuese dhe shfrytëzohen të gjitha instrumentet evropiane për zhvillim institucional dhe ekonomik, me të cilat do të përshpejtohet rruga evropiane e vendit. U potencua edhe rëndësia e bashkëpunimit rajonal, si faktor kyç për stabilitetin dhe progresin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri Murtezani dhe Ambasadori Bunford konfirmuan përkushtimin për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral dhe komunikimit intensiv mes dy qeverive në drejtim të përmbushjes së qëllimeve të përbashkëta evropiane.