Komanda e NATO-s në Sarajevë dhe misioni paqeruajtës i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë – EUFOR – kanë thënë se janë të gatshëm të parandalojnë çdo përpjekje për të destabilizuar vendin, pasi përfaqësuesit e Republikës Srpska njoftuan masa radikale nëse presidenti Milorad Dodik dënohet, raportojnë mediat boshnjake .

Gjykata në Sarajevë do të shpallë vendimin e saj të mërkurën në rastin kundër Dodik, i cili akuzohet për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.

Dodik dhe disa përfaqësues të Republika Srpska paralajmëruan se një dënim i mundshëm do të çonte në hapa radikalë. Mbështetësit e tij paralajmëruan dy ditë protesta, ndërsa opozita bëri thirrje për bojkot.

Komanda e NATO-s në Sarajevë njoftoi se do të merrte masa për të parandaluar destabilizimin e mundshëm dhe theksoi rëndësinë e stabilitetit me mbështetjen për Operacionin Althea të BE-së.

Nga ana tjetër, EUFOR theksoi se përkundër stabilitetit aktual, misioni mbetet në gatishmëri dhe do të ndërhyjë nëse rrezikohet rendi publik apo siguria e civilëve.

Të shtunën, përmes një postimi në platformën X, Dodik akuzoi ambasadorin amerikan në Bosnje-Hercegovinë, Michael Murphy, se qëndron pas procesit ndaj tij.

Radovan Kovaçeviq, zëdhënës i partisë së Dodik, njoftoi mundësinë e një referendumi për një kushtetutë të re për Republikën Srpska, i cili, sipas tij, do të “anulonte vendimet e paligjshme të Përfaqësuesit të Lartë”. Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 25 shkurt të mbajnë një tubim proteste në mbështetje të Dodikut.

Prokuroria boshnjake po kërkon dënime me burg për Dodik dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Srpska, Millosh Lukiq, si dhe ndalim afatgjatë të veprimtarisë së tyre politike.