Në seancën e 35-të të Kuvendit u konstatua nevoja për miratimin e ndryshimeve të ligjeve për konsumatorë dhe për kryerjen e punëve kontabiliste

Kuvendi në kuadër të seancës së sotme të 35-të, e miratoi vendimin për publikimin e shpalljes publike për zgjedhjen e shoqatës në sferën e të drejtave të njeriut, të drejtën policore dhe jurisprudencën për mekanizmin e kontrollit civil në përbërje të Avokatit të Popullit, si dhe vendimin për publikimin e shpalljes publike për emërimin e drejtorit të Agjencisë për cilësinë në arsimin e lartë. Gjithashtu, u konstatua nevoja për kryerjen e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit dhe të Ligjit për kontabilitet, me procedurë të shkurtuar.
Pa diskutime kaloi leximi i parë nga Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për infrastrukturën kombëtare të të dhënave hapësinore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe procedura për sjelljen e tij do të vazhdojë me lexim të dytë, gjegjësisht do të dorëzohet deri tek Komisioni për sistem politik, marrëdhënie ndërmjet bashkësive dhe Komisionit juridiko-ligjvënës të Kuvendit.
Në seancë u mbështet vlerësimi se kërkesa për interpretim autentik të Ligjit për të punësuarit në sektorin publik, gjegjësisht shfuqizimin e balancuesit, e parashtruar nga deputetët e BDI-së, ishte e pajustifikuar. Në emër të parashtruesve, deputetja Rina Ajdari theksoi se nga dita e parashtrimit të tij e deri në rendin e ditës të seancës kanë kaluar gjashtë muaj, gjë që e bën të pakuptimtë shqyrtimin e kësaj kërkese dhe dërgoi kritikë që deri tani nuk është miratuar ligji i paralajmëruar për përfaqësim të drejtë.
Deputetët e votuan Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ruajtjen dhe mbrojtjen nga lëngjet dhe gazrat e djegshme, pas çka në leximin e dytë në rend dite u vendos projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas votimit të propozimit, deputetët e BDI-së kanë reaguar për mënyrën e përcaktimit të të pranishmëve në sallë gjatë prononcimit nominal të deputetëve që janë pjesëtarë të bashkësive joshumicë, pas çka u kërkua një orë pauzë.
Ndryshe, tre ligje nuk janë pranuar me procedurë të shkurtuar, prej të cilëve njëri është Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, të parashtruar nga grupi i deputetëve të Së Majtës, e që ka të bëjë me heqjen e detyrimit për deklarime dygjuhësore në ambalazhin e produkteve në tregti. Nuk u pranua edhe propozimi për ndryshimin e Ligjit penal, me të cilin kërkoheshin ndryshime rreth shkeljeve të ligjit nga ana e gjyqtarëve, ndërsa mbështetje për t’u sjellë me procedurë të shkurtuar nuk mori edhe propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vlerën e shtuar, të parashtruar nga deputetët e LSDM-së, të cilët me këtë zgjidhje ligjore kërkuan uljen e normës së TVSH-së nga 18 në 5 për qind për energjinë elektrike dhe heqjen e plotë të këtij tatimi për produktet ushqimore.