Në maj të këtij viti pritet të lëshohet në përdorim një pjesë e autostradës Kërçovë-Ohër, konkretisht pjesa nga fshati Arbinovë deri në Ohër me një ndërprerje në fshatin Botun.

“Ndodhemi në autostradën Kërçovë- Ohër në pjesën nga fshati Arbinovë deri në Ohër. Kjo pjesë në maj të këtij viti duhet të lëshohet në përdorim kështu ka premtuar qeveria e re. Pritet të shihet nëse do të lëshohet në përdorim apo do të anulohet sërish siç ka ndodhur rëndom”, raporton Salije Sadiku Pinjolli – gazetare TV21.

Në terren shihet se ka edhe shumë punë. Për zhvillimin e punimeve dhe afatin për lëshim në përdorim pyetëm drejtorin për Rrugë Shtetërore Koce Trajanovskin, por deri në këto momente nuk morëm asnjë përgjigje.

Një problem që është paraqitur në punimet e Korridorit 8 është edhe rruga Trebenisht-Qafë Thanë ku siç tha kryeministri Hristijan Mickovski kanë hasur në vështirësi, pasi që një pjesë ku kalon rruga është e mbrojtur nga UNESCO.

“Diskutabile është rruga nga Qafë Thanë deri në Trebenisht, sepse ajo pjesë hynë në perimetrat që janë të mbrojtura nga UNESCO dhe duhet të shihet si bëhet, çfarë do të bëhet dhe si më tutje do të lëvizin gjërat, cilat vendime do t’i sjellim, sepse ashtu e kanë lënë qeveria e kaluar”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Autostrada Kërçovë-Ohër e Korridorit 8 filloi të ndërtohet në shkurt të vitit 2014. Vlera e autostradës me gjatësi totale prej 57 kilometrash ishte projektuar fillimisht në 374 milionë euro dhe pas disa anekseve të Marrëveshjes dhe shtyrjes së afateve arriti në 598 milionë euro. Me shtesat ligjore në prill të këtij viti, u bë e mundur përmbyllja e aneksit të gjashtë të Marrëveshjes, e cila zgjati periudhën e ndërtimit deri në fund të vitit 2026.