Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me sulmet verbale të Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ndaj gazetarëve dhe televizionit Klan Kosova, një prej medieve më të mëdha në vend.
Në reagimin e OEAK-së, thuhet se në një ditë kur qytetarët e Republikës së Kosovës demonstruan demokracinë në veprim, sulmet e tilla jo vetëm që përbëjnë një sulm ndaj lirisë së shprehjes, por gjithashtu përbëjnë një nxitje të drejtpërdrejt të dhunës ndaj medies në fjalë, duke vënë në rrezik dhjetëra gazetarë dhe qindra punonjës të kësaj organizate.
“Sulmet e vazhdueshme verbale ndaj bizneseve, disa mediave dhe opinionistëve gjatë ditëve të fundit, si dhe ndaj prokurorëve dhe institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit, cenojnë liritë themelore, për promovimin e të cilave shoqëria kosovare dhe partnerët ndërkombëtarë janë angazhuar dhe kanë investuar për vite me radhë. Për më tepër, sulmet ndaj institucioneve të pavarura të drejtësisë jo vetëm që shkelin parimin e ndarjes së pushteteve, por gjithashtu bien ndesh me parimin themelor të sundimit të ligjit, i cili ndalon ushtrimin arbitrar të pushtetit. Veprime të tilla dërgojnë sinjalin më negativ të mundshëm për qytetarët, bizneset vendore dhe investitorët e huaj, duke rritur pasigurinë juridike në Kosovë”, thuhet në reagim transmeton Klankosova.tv
Kjo odë beson fuqishëm se liria e shprehjes duhet të respektohet në Kosovë, se pavarësia e të gjitha institucioneve duhet të garantohet dhe se ekzekutivi duhet të bashkëpunojë me të gjitha shtyllat e qeverisjes dhe institucionet joshtetërore, të cilat luajnë një rol kyç në avancimin e demokracisë dhe promovimin e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Kosova duhet të mbetet një vend ku qytetarët e saj dëshirojnë të jetojnë dhe ku ndërmarrjet private mund të lulëzojnë pa frikën e veprimeve arbitrare.