Papa Françesku ka kritikuar ashpër përpjekjet e administratës së dytë Donald Trump për dëbimin masiv dhe politikat e tjera për shtypjen e emigracionit, duke thënë se ato po nxisin një “krizë të madhe” që “dëmton dinjitetin e tyre”.
Në letrën drejtuar peshkopëve të kishës katolike romake të ShBA-së, Papa u shpreh kundër përpjekjeve për të karakterizuar të gjithë emigrantët si kriminelë – dhe u bëri thirrje njerëzve “të mos dorëzohen para tregimeve që diskriminojnë dhe shkaktojnë vuajtje të panevojshme për vëllezërit dhe motrat tona migrantë dhe refugjatë”, shkruan “The Guardian”, transmeton klankosova.tv.
Papa Françesku pranoi të drejtën e një kombi për të mbrojtur veten dhe për t’i mbajtur komunitetet të sigurta nga individët që kanë kryer krime të dhunshme ose të rënda “ndërsa janë në vend ose para mbërritjes”, por, ai tha se akti i dëbimit të njerëzve që “në shumë raste janë larguar nga toka e tyre për arsye të varfërisë ekstreme, pasigurisë, shfrytëzimit, persekutimit apo përkeqësimit serioz të mjedisit, dëmton dinjitetin e shumë burrave dhe grave, dhe të familjeve të tëra, dhe i vendos ata në një gjendje të veçantë cenueshmërie dhe pambrojtjeje”.
Ai shtoi: “Ajo që ndërtohet mbi bazën e forcës, dhe jo mbi të vërtetën për dinjitetin e barabartë të çdo njeriu, fillon keq dhe do të përfundojë keq”!
Papa Françesku, i cili ka shërbyer si Papë që nga viti 2013, ka qenë një kritik i kahershëm i politikave të Trumpit për imigracionin.