“Janullatosi e rrëmbeu kishën ortodokse shqiptare, është momenti të zgjidhet një kryepeshkop shqiptar”, ka qenë ky komenti i një qytetari në rrjetet e tij sociale që Kryeministri Rama ka zgjedhur të replikojë.
“Sy m’Sy” me qytetarët, Kryeministri Rama ka thënë se kryepeshkopi Janullatos i ka dhënë fund të gjitha hipotezave me amanetin e tij që në pasardhësi i tij duhet të jetë një shqiptar.
Edi Rama: Me amanetin e tij publik dhënë në shtypin grek pak kohë para se të ndahej nga jeta, kryepeshkopi Anastas ka mbyllur të gjitha gojët dhe nuk ka lënë asnjë shteg për askënd për të ngritur hipoteza lidhur me rolin, me figurën, me bilancin historik të qëndrimit të tij, kur ka thënë se “pasardhësi im duhet dhe do të jetë një shqiptar”, kur ka thënë se “ne nuk kemi shkuar në Shqipëri për të ngritur një koloni, por një kishë autoqefale”, dhe njësoj siç ne grekë nuk e parafytyrojmë dot në Greqi një kryepeshkop serb apo bullgar, si mund të parafytyrohet në Shqipëri dikush tjetër një kryepeshkop tjetër përveç shqiptar”. Në momentin e ardhjes së tij, ishte e pashmangshme vendosja e një kryepeshkopi jo shqiptar sepse ne nuk e kishim mundësinë që të vendosnim një kryepshkop shqiptar. Kjo është e thjeshtë.
Në lidhje me komentet për shpenzimet në funeralin e kryepeshkopit Janulllatos, Kryeministri Rama përgjigjet kështu: Nuk besoj se e ngrëna në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës është problemi dhe pastaj të vdekurit për bukë e kam thënë se asnjë shqiptar nuk ka vdekur për bukë. Këtu jemi tek standarde krejt të tjera. Flitet për shpenzime në funeralin e kryepeshkopit, ku nuk e di se çfarë shpenzimesh kishte përveç arkivolit të të ndjerit. Nuk e di si mundet të bihet pre e këtij llumi të kanaleve, të portaleve.