Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, ndërsa paradite do të ketë mjegull nëpër lugina. Kah fundi i ditës dhe gjatë natës në pjesët perëndimore do të ketë reshje të përkohshme lokale të shiut, ndërsa në pjesët malore do të bie borë. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi jugor. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -2 deri në 4 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 9 deri në 15 gradë Celsius.

Në Shkup paradite do të ketë mjegull, ndërsa gjatë ditës do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme. Temperatura minimale do të zbresë deri në 3, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 13 gradë Celsius.

Sipas njoftimeve të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), gjatë ditës së nesërme do të ketë reshje lokale shiu, ndërsa në zonat malore borë. Reshjet do të jenë me intensitet të lehtë deri në mesatar. Do të fryjë erë mesatare deri në të fortë nga veriu. Më pas do të mbizotërojë mot stabil dhe më i ftohtë me temperatura të ulëta të mëngjesit, të cilat nga e mërkura do të jenë kudo nën zero. Edhe të mërkurën do të fryjë erë mesatare deri në të fortë nga drejtimi verior.