Një grua ka vdekur në Australi dhe mijëra janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi reshjet e rrëmbyeshme kanë shkaktuar përmbytje në Queensland verior.
Autoritetet po paralajmërojnë se ujërat e përmbytjeve mund të rriten deri në nivelin e katit të dytë, në një situatë që ata e përshkruajnë, si të rrezikshme dhe kërcënuese për jetën.
Më shumë se 700 mm (26 in) shi kanë rënë në pjesë të Queensland-it të Veriut në 24 orët e fundit dhe ekziston shqetësimi se “reshjet rekord” do të vazhdojnë edhe të hënën, sipas kryeministrit të shtetit të Queensland, David Crisafulli.
Meteorologët thonë se këto mund të jenë përmbytjet më të këqija në rajon, në më shumë se 60 vjet.
Crisafulli tha se kushtet ishin ndryshe, nga çdo gjë që Queensland-i verior kishte përjetuar “për një kohë të gjatë”.
“Nuk është vetëm intensiteti, por është edhe jetëgjatësia e tij”, tha ai për transmetuesin australian ABC.
Mijëra njerëzve që jetonin në qytetin e Townsville, iu tha të largoheshin nga shtëpitë e tyre deri në mesditë të dielën, ndërsa autoritetet sollën 100,000 thasë me rërë për të bllokuar ujin që të mos shkaktoheshin dhe më përmbytje.
Pjesë të rrugës midis Townsville dhe qendrës turistike të Cairns janë përmbytur, duke penguar përpjekjet për të çuar ekipet e shpëtimit dhe thasë me rërë në zonë.