Ish-Kryeministri, Nikola Gruevski, përmes një postimi në Facebook, thotë se pasardhësi i tij, Zoran Zaevi, është duke investuar në ndërtimin e një kulle 82-katëshe në Dubai, me vlerë mbi 600 milion euro, sipas tij, me mjete që janë siguruar përmes zhvatjes masive dhe keqpërdorimit të pushtetit.
Këto komente Gruevski i ka bërë gjatë një shkrimi duke komentuar rastin “Frosina” por edhe vdekjen e një prej të akuzuarve të 27 prillit, Igor Jug.
Sipas Gruevskit, pjesa më e madhe e parave janë transferuar me avion privat dhe janë deponuar në llogari bankare në Dubai.
“Njëkohësisht përgatitet edhe për një investim të madh në një vend tjetër në Azi, i inkurajuar nga mendimi se i ka zgjidhur të gjitha çështjet për pandëshkimin e tij sipas të gjitha bazave” – shkruan Gruevski në Facebook.
Pas tërheqjes nga politika, ish-Kryeministri Zaev, rrallë jep deklarata apo komente. Por, i provokuar nga pohimet e Gruevskit, është prononcuar nga faqja e një avokati nga Kumanova.
Ai e ka quajtur Gruevskin “të luajtur mendsh”, duke pohuar se disa njerëz që kanë komentuar mbi këto akuza të Gruevskit, as vet nuk u besojnë këtyre thashethemeve.
“Zaevët punësojnë mbi 1.000 njerëz në Maqedoni. Kështu ka qenë para se të jem në politike, kështu ka qenë derisa isha në politike, kështu është edhe tani. Ju përqafoj kameleonë të ngjyrosur me të gjitha ngjyrat” – ka shkruar Zaevi nëpër rrjetet sociale.
Akuzat e Ish-Kryeministrit, Nikola Gruevski, I cili në vitin 2018 është i arratisur nga drejtësia dhe gëzon azilin politik në Hungari, I kanë komentuar edhe media bullgare BGNES. Sipas tyre, më 19 shkurt do të vendoset gurrthemeli i kullës së Zaevit në Dubai. /tvklan.mk