Ministrat e mbrojtjes të NATO-s kanë reaguar në lidhje bisedën telefonike që presidenti Donald Trump pati me Vladimir Putin në lidhje me mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë.

Prononcimet u kryen nga ministrat e Aleancës gjatë një Samiti që po mbanin në Bruksel.

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, theksoi se “nuk mund të ketë negociata për Ukrainën pa Ukrainën” dhe kërkoi që zëri i këtij vendi të jetë në qendër të çdo diskutimi. Ai u shpreh se asnjë marrëveshje pa pjesëmarrjen e Ukrainës nuk mund të jetë e vlefshme.

Ndërkohë, ministri suedez i mbrojtjes bëri të ditur se anëtarësimi i Ukrainës në NATO “nuk duhet lënë jashtë tryezës së bisedimeve” edhe pse SHBA-të kanë deklaruar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është një objektiv “jo-real”.

Nga ana tjetër BE kërkoi një “paqë të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme” dhe theksoi se Ukraina dhe Evropa duhet të jenë pjesë e çdo negociate.

Në përgjigje të shqetësimeve të aleatëve evropianë, sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, u shpreh se bisedimet me Putinin “nuk janë një tradhëti për Ukrainën” dhe se ato janë të nevojshme për të arritur një zgjidhje paqësore.