Në Gostivar sot u mbajt ngjarja e tretë konsultative për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

Kjo ngjarje është pjesë e një cikli aktivitetesh që synojnë rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së njësive lokale, përmirësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në krijimin e politikave lokale, vendosjen e shërbimeve komunale të rendit dhe zhvillimin e zonave të pazhvilluara mjaftueshëm.

Ministri për Vetëqeverisjen Lokale, Zllatko Perinski, theksoi se qëllimi i ndryshimeve në kornizën ligjore është rritja e kapaciteteve demokratike të vetëqeverisjeve lokale dhe të qytetarëve, gjë që është në interes të të gjithëve. Ai vlerësoi se debatet publike janë jashtëzakonisht të rëndësishme, duke pasur parasysh që të gjitha palët e përfshira, duke filluar nga kryetarët e komunave e deri te sektori civil, pra qytetarët, të kenë mundësi për të dhënë propozime dhe sugjerime.

„Në këtë moment jemi dëshmitarë, për fat mirë, të një numri të vogël kryetarësh të komunave, të cilët sillen në mënyrë deviante dhe abuzojnë me besimin e marrë nga qytetarët. Mendoj që jemi në rrugën e duhur për krijimin e një zgjidhjeje ligjore shumë cilësore dhe të qëndrueshme, e cila në periudhën që vjen do t’i përgjigjet nevojave të vetëqeverisjeve lokale dhe të qytetarëve“, theksoi Perinski, i cili vuri në dukje që reformat ligjore do të jenë në përputhje me praktikat pozitive evropiane, të zbatueshme tek ne.

Profesori Memet Memeti, i cili është pjesë e grupit të ekspertëve, vlerësoi se përmes debateve publike do të përgatitet një zgjidhje ligjore që do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe do të kontribuojë për komuna më të forta dhe më autonome.

Profesori Aleksandar Spasenovski theksoi se Maqedonia tashmë ka një sistem të vendosur dhe funksional të vetëqeverisjes lokale, por megjithatë, është i nevojshëm evolucioni dhe përshtatja e vazhdueshme e tij ndaj sfidave dhe nevojave të reja.

„Prandaj, përmes një procesi të gjerë dhe konsultativ, në të cilin janë përfshirë të gjithë aktorët relevant – komuniteti shkencor, autoritetet lokale dhe sektori civil – ne synojmë të gjejmë zgjidhje që do të përmirësojnë sistemin ekzistues dhe do ta bëjnë atë edhe më efikas, më transparent dhe më të përshtatur ndaj nevojave moderne të bashkive dhe qytetarëve“, deklaroi Spasenovski.

Nikoqiri i ngjarjes, u.d. kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, përshëndeti iniciativën për hapjen e Ligjit dhe shprehu mbështetje për mekanizmin e planifikuar për heqjen e kryetarëve të komunave.

Mbledhja konsultative u organizua nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale, me mbështetje të projektit „Forcimi i Këshillave Komunale“, i financuar nga Qeveria e Zvicrës dhe Ministria për Vetëqeverisje Lokale, dhe të kofinancuar dhe implementuar nga UNDP-ja.

Mbledhja e sotme ishte e treta, nga katër mbledhjet e planifikuara të ciklit të debateve publike. Deri më tani, janë mbajtur konsultime publike në Manastir dhe Shtip, ndërsa e radha është planifikuar të mbahet në Shkup.