Prokurori i lartë i suspenduar Jovan Cvetanovski mund të jetë pasardhës i Lupço Kocevskit në pozitën e prokurorit publik të shtetit, mëson Alsat. Ishte Kocevski ai që inicioi suspendimin e prokurorit Cvetanovski për shkelje të rëndë disiplinore, kështu që procedura disiplinore ndaj tij fillimisht duhet të përfundojë para se të marrë drejtimin e prokurorisë shtetërore. Ndërkohë, Këshilli i prokurorëve publik është ende në pritje të propozimit të Qeverisë për shkarkimin e Kocevskit.
“Lidhur me këtë, dua të them se deri më tani nuk kemi paraqitur asnjë propozim në Këshill dhe do të deklarohemi kur të bëhet propozimi. (si është procedura sipas ligjit?) Procedura është e shpjeguar në ligj siç është paraparë, Këshilli do ta respektojë dhe do t’i respektojë të gjitha afatet”, tha Dushica Dimitrievska, kryetare e Këshillit të prokurorëve publikë.
Qeveria dje ka iniciuar shkarkimin e Kocevskit, ndër të tjera, sepse e konsiderojnë kontrovers emërimin e kreut të Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit, ndërsa vazhdon suspendimi i Mustafa Hajrullahit, i cili u largua nga kjo pozitë për shkak të akuzave për mobing dhe gjoja parregullsi në punën e tij. Megjithatë, sipas Dimitrievskës, zgjedhja e shefit të ri është e ligjshme.
“Vazhdoj të them se vendimi ynë është i ligjshëm. Ajo prokurori si gjithë të tjerat duhet të ketë prokuror publik që do ta udhëheqë. Më lejoni të përmend edhe një herë se këtu bëhet fjalë për përcaktimin e prokurorit publik i cili do ta drejtojë atë prokurori për sa kohë të mos mungojë prokurori i lartë publik”, tha Dushica Dimitrievska, kryetare e Këshillit të prokurorëve publikë.
Qeveria dje ka dorëzuar iniciativën në Ministrinë e Drejtësisë për shkarkimin e Kocevskit. Nga dikasteri i drejtësisë thanë për Alsat se deri nesër këtë propozim do ta përcjellin në Këshillin e prokurorëve publikë, ku sipas ligjit, këshilli do të ketë 15 ditë kohë për të vendosur qëndrimin e tij. Megjithatë, për shkarkimin e Kocevskit nuk është i nevojshëm mendim pozitiv nga Këshilli, pasi fjalën e fundit do ta kenë deputetët. Nëse propozimi kalon në Kuvend, ky do të jetë shkarkimi i dytë i një prokurori publik shtetëror që nga pavarësia, pasi prokurori i dikurshëm republikan Marko Zvërlevski u shkarkua në vitin 2017 me 64 vota “pro”.