Prokuroria Themelore e Shkupit ka dhënë urdhër për nisjen e një hetimi ndaj gjashtë personave për pjesëmarrje në krime të vrasjes dhe tentativës për vrasje, lidhur me një përleshje që ka ndodhur natën mes 10 dhe 11 shkurtit në komunën e Çairit në Shkup.
Po ashtu, janë ngritur procedura edhe ndaj dy personave për veprime ndihmëse pas kryerjes së krimit, pasi pas ngjarjes ata fshehën dy armë zjarri, duke ndihmuar disa nga të dyshuarit të mos identifikoheshin.

Në ditën kritike, në parkimin e rrugës “Brigada e Dytë Maqedonase”, pas një mosmarrëveshjeje verbale për një keqkuptim në trafikun pranë poliklinikës Çair, ka shpërthyer një përleshje e armatosur mes dy grupeve. I dyshuari kryesor, një 28-vjeçar, duke përdorur armë zjarri dhe me qëllim, i ka shkaktuar vdekjen viktimës Hebib Bunjaku dhe ka vënë në rrezik jetën e një personi tjetër. Po ashtu, pesë të dyshuar të tjerë kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në përleshje, duke ndërhyrë me veprime ndihmëse dhe bashkëkryerje në vrasje dhe tentativë vrasje. Dy të dyshuarit e fundit, pas përleshjes, fshehën dy armët e zjarrit të përdorura në incidentin e armatosur.

Prokurori përgjegjës ka propozuar masën e paraburgimit për dy të dyshuar për vrasje dhe tentativë vrasjeje, si dhe arrest shtëpiak për një tjetër të dyshuar. Gjithashtu, është propozuar paraburgim për dy personat e dyshuar për ndihmë pas kryerjes së krimit.

Policia është ende në kërkim të tre personave të tjerë dhe po vazhdon me veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.