Punësimet në sektorin publik/ Përplasje Mexhiti – Minçev, LSDM akuza për partizim masiv para zgjedhjeve

Zv/Kryeministri Izet Mexhiti paralajmëroi për një vit në koalicionin qeveritar, do të punësohen 2.000 deri 3.000 Shqiptarë në administratën shtetërore dhe publike.
Këto komente Mexhiti I bëri gjatë një aktiviteti partiak në Shuto Orizaë duke pohuar se kjo shifër është shumë e madhe nga secila parti shqiptare që ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar.
“Për një vit do të ketë punësime, aq sa kanë bërë të tjerët për dy mandate, 8 vite në Qeveri. Do të jenë me qindra nëse jo edhe 2.000 deri 3.000 Shqiptarë në administratë gjithkund ku ka nevojë për ripërtrirjen e vendeve të punës”- tha Izet Mexhiti nga VLEN.
Por, Ministri për Administratë Publike, Goran Minçev, deklaratën e Mexhitit për punësime masive e vlerësoi si një populizëm aparazgjedhor pa një bazë juridike. Minçev ka potencuar se punësimet në sektorin publik bëhen ekskluzivisht sipas procedurave ligjore dhe nevojave të institucioneve.
“Deklarata e Mexhitit në ngjarje partiake për punësime masovike në administratën publike, gjatë një periudhe prej një viti është një shembull klasik i populizmit parazgjedhor, pa asnjë bazë juridike dhe institucionale” – tha Minçev.
Kanë reaguar edhe nga LSDM-ja. Sipas tyre, përgatitet partizimi masiv para zgjedhjeve.
“Kjo bëhet me “amin” të Mickoskit. Para zgjedhjeve premtuan merit-sistemin, profesionalizmin dhe shtetin e së drejtës. VLEN e trajton shtetin si biznes privat, që duhet ta mbushin me ushtarë partiak. Kjo nuk është deklaratë e rastit. Shtrohet pyetja – nëse tashmë ekziston plani për partizimin masiv të institucioneve para zgjedhjeve? A do të shndërrohet administrate publike sërish në shtab partiak në vend të servisit për qytetarët”- thonë nga LSDM.
Zv/Kryeministri Mexhiti iu kundërpërgjigj Ministrit Minçev, të cilin e luti që të mos sillet sikur “Liza në botën e çudirave”.
Për dallim nga deklarata e djeshme, Mexhiti reteroi duke potencuar se ka vendim në Qeveri për punësimin e 1.500 personave që do të punojnë në shëndetësi.