Rabini hebre Yusuf Hamra, i cili u detyrua të emigrojë me forcë nga Siria në vitin 1992, u kthye në Damask pas 33 vitesh, raporton Anadolu.
Hebrenjtë që u detyruan të emigrojnë me forcë nga vendi në vitin 1992, kanë filluar të kthehen në vend pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit.
Rabini sirian Hamra dhe shokët e tij vizituan kishat “French” dhe “Raqi” që ndodhen në zonat historike të Damaskut, shkollën hebraike “Ibn Maimoun” dhe sinagogën “Jobar” e cila u shkatërrua kryesisht gjatë luftës civile.
Rabini Hamra, një nga ish-udhëheqësit e komunitetit hebre në Siri, tha për AA se u kthye në shtëpinë e tij në Damask pas 33 vitesh.
Hamra vizitoi lagjen e tij dhe sinagogat, ndërsa tha: “Unë nuk munda ta njihja shtëpinë që ndërtova me duart e mia, por ajo që ka ndryshuar vërtet është vendi”.
Ai thotë se njerëzit në Siri ende e kanë të njëjtën ngrohtësi. Hamra tha se u largua nga Siria me familjen e tij në vitin 1992. “Unë jam përpjekur të kthehem në Damask për një vit e gjysmë, por regjimi i rrëzuar i Sirisë nuk më lejoi”, u shpreh ai.
Hamra iu drejtua hebrenjve në Perëndim me thirrjen: “Ejani, shikojeni Sirinë me sytë tuaj. Ndoshta do të ndryshoni mendje dhe do të dëshironi të ktheheni”.
Drejtori i Ekipit Sirian të Reagimit Emergjent, Muaz Mustafa tha se delegacioni i parë hebre u kthye në Siri pas 33 vjetësh.
Ai theksoi se qeveria e re mbështet kthimin e të gjithë sirianëve në vend. “Në Siri kanë mbetur shumë pak hebrenj. Ne duam të mobilizojmë komunitetin ndërkombëtar për të rindërtuar sinagogat dhe për të hequr sanksionet”, tha Mustafa.
Më tej Mustafa u dha një mesazh hebrenjve sirianë anembanë botës me thirrjen: “Vendi juaj është i sigurt, ju mund të ktheheni”.
Më shumë se 5.000 hebrenj që u zhvendosën me forcë nga regjimi i Hafez al-Asadit në vitin 1992 u detyruan të vendoseshin në vende të ndryshme evropiane dhe nuk mundën të ktheheshin për vite me radhë.
Gjithashtu edhe Bashar al-Asadi nuk i lejoi hebrenjtë të ktheheshin në Siri për vite me radhë si dhe konfiskoi pronat e tyre.