Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev e ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e Bullgarisë se vendi i tij nuk pranon ndryshime në marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut.
Në bisedë me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Radev theksoi se RMV-ja duhet të zbatojë konsensusin evropian të vitit 2022 dhe se Bullgaria nuk parashtron kërkesa të reja, por në të njëjtën kohë nuk pranon ndryshime në marrëveshjet e arritura.
Në Konferencën e Mynhihut, kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski ka theksuar se në vend të evropianizimit të Ballkanit, po ndodhë ballkanizim i Evropës, për shkak se disa vende-anëtare ballkanike i sollën kontestet ballkanike dhe vlerat ballkanike në Bruksel në vend që të jetë e kundërta.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.