Pas press-konferencës së djeshme ku prindërit e vozitësit Vasil Jovanov, I cili goditi për vdekje Frosina Kulakovën, shprehën ngushëllime për vdekjen e 22-vjeçares, duke pohuar se natën e kobshme në zi janë dy familjet, përmes rrjeteve sociale kanë reaguar nga Familja e Frosinës.

Babai, Todor Kulakov, ka shkruar se prindërit e Jovanovit asnjëherë s`kanë patur pendim të vërtetë për shkak se ngushëllimi dërgohet 9 ditë pas vdekjes së bijës së tyre.

“As që na kanë kontaktuar. Por, nga ana tjetër, menjëherë dërgojnë celularin në Shutkë, që të dakordohen se si ta mbulojnë veprën. Njëjtë sikurse në rastet e mëparshme me gjykatësen i bën bashkëpjesëmarrës me përgjegjësi penale. S`ka pendim e as që bëhet fjalë për ngushëllime. Ka vetëm aksion që të manipulohet opinioni dhe të fitohen simpati nga ana e prindërve të vrasësit” – shkruan në Facebook babai I Frosinës.

Dje, Vasil Jovanovi, u dënua me 3 vite e 8 muaj burg nga Gjykata e Apelit në Shkup në procedurën e shkallës së dytë për veprën penale kur ishte kapur me lëndë narkotike.

Ndërkohë sot në Negotinë mbahet një protestë tjetër ku do të dërgohen mesazhe për drejtësi për viktimën.

Nga nisma “Kush e ka radhën?” paralajmërojnë një protest tjetër masovike në Shkup për më 16 shkurt, kurse njoftojnë se paraprakisht do të mbahen forume nëpër rrugë ku do të formulohen kërkesat. Një Forum I tillë do të mbahet të dielën në mesditë me bllokimin e udhëkryqit tek Kopshti Zoologjik në Shkup.

Ndryshe, sipas autoriteteve, vetëm vitin e kaluar 142 viktima janë shënuar gjatë aksidenteve të trafikut nëpër rrugët e Maqedonisë së Veriut. Për tri vitet e fundit kjo shifër është rreth 400.

Këto të dhëna janë pjesë të analizave që do të merren parasysh gjatë përgatitjes së ndryshimeve ligjore me të cilat duhet të rritet siguria në trafik.