Portieri Mike Maignan ka reaguar me pesë fjalë ndaj gabimit të tij të rëndë në Champions League, por kjo nuk ka impresionuar aspak tifozët e Milanit.

Francezi bëri një gafë fatale në minutën e tretë të humbjes 1-0 ndaj Feyenoord, duke lëshuar një gjuajtje të Igor Paixao që përfundoi në rrjetë. Ky gol e vë Milanin në një situatë të vështirë për ndeshjen e kthimit në San Siro, të martën e ardhshme.

Pas ndeshjes, Maignan postoi një Story në Instagram, ku shihej duke buzëqeshur gjatë nxehjes me mbishkrimin:

“Bad day at the office…” (Ditë e keqe në zyrë…).

Ky reagim i ka irrituar tifozët, të cilët prisnin një ndjesë ose pranimin e fajit, sidomos në një moment kur ai po negocion një kontratë të re me pagë 5 milionë euro në vit deri në 2029.

Nuk është hera e parë që Maignan bën gabime këtë sezon, pasi ka bërë gafa edhe në ndeshjet ndaj Como, Cagliari dhe Juventusit në Serie A.

Tani, presioni është i madh mbi Maignan, i cili si kapiten i ri i Milanit, duhet të tregojë përgjegjësi më të madhe në momentet vendimtare.