Kosova, një nga vendet më të varfra të Evropës, po përballet me pasoja të rënda për shkak të sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Të tillë e paraqet Reuters, gjithë situtatën e krijuar në Kosovë, si pasojë e veprimeve të Qeverisë Kurti, transmeton klankosova.tv.

Lumbardhi, një kino në qytetin e Prizrenit që ka ofruar mundësi kulturore dhe artistike për dekada, është prekur rëndë nga këto masa.

Tutje Reuters, përmend një grant prej 1.5 milionë eurosh, i cili do të mundësonte rinovimin e sistemit të ngrohjes dhe kanalizimeve, u anulua nga BE-ja, duke u shpjeguar si një pasojë e “masave të vazhdueshme të vendosura ndaj qeverisë së Kosovës” për shkak të politikave të kryeministrit Albin Kurti që, sipas BE-së, kanë nxitur tensionet etnike në veri të Kosovës.

Sanksionet kanë ndikuar edhe në projekte të tjera të rëndësishme, duke përfshirë një plantë për trajtimin e ujërave të zeza dhe rinovimin e një sallë koncertesh, vlera e të cilave arrin deri në 150 milionë euro. Kjo ka ngjallur shqetësim të madh për qytetarët e Kosovës, të cilët po ndjehen të izoluar dhe të ndëshkuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkohë, siç vlerëson Reuters, tensionet etnike në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë një çështje delikate.

Tutje sipas Reuters, Qeveria e Kurti ka refuzuar propozimet e BE-së për një Asociacion të komunave serbe, duke përshkallëzuar më tej përplasjet me Serbinë. Sipas vlerësimit të tyre ky qëndrim ka çuar në mbylljen e postave serbe dhe ka penguar tregtinë mes Kosovës dhe Serbisë, duke e bërë jetesën më të vështirë për serbët që jetojnë në veriun e Kosovës.

Sanksionet e BE-së janë konsideruar nga disa shtete anëtare si të padrejta, pasi ato nuk kanë ndikim te Serbia, e cila gjithashtu ka luajtur një rol në intensifikimin e tensioneve.

Pasojat e këtyre masave janë të ndjeshme për qytetarët e Kosovës, të cilët po përballen me mungesë mundësish për zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.