Më shumë se një dekadë pasi u zhduk kanë rinisur kërkimet për fluturimin MH370 të “Malaysia Airlines” në një nga misteret më të mëdha në historinë e aviacionit, shkruan The Guardian.

Kompania e eksplorimit detar Ocean Infinity ka rifilluar kërkimet për aeroplanin e zhdukur, ka thënë ministri malajzian i Transportit, Anthony Loke.

Loke u tha gazetarëve se detajet e kontratës midis Malajzisë dhe kompanisë ishin ende duke u finalizuar, por mirëpriti “proaktivitetin e Ocean Infinity për të vendosur anijet e tyre në det” për të filluar kërkimin për aeroplanin, i cili u zhduk në mars 2014.

Detajet për sa kohë do të zgjasë kërkimi nuk ishin negociuar ende, shtoi ai. Ai gjithashtu nuk dha detaje se kur saktësisht kompania britanike kishte rinisur kërkimet.

MH370 u zhduk nga radarët pak pasi u ngrit nga aeroporti i Kuala Lumpurit në mars 2014. Ishte nisur për në Pekin, me 12 ekuipazh dhe 227 pasagjerë në bord. Aeroplani nuk është gjetur asnjëherë dhe nuk dihet arsyeja e zhdukjes.

Uebfaqja e gjurmimit të marinës Marinetraffic.com tregoi se anija Ocean Infinity ishte në oqeanin jugor Indian që nga 23 shkurti.