Ronaldo Nazario është në mesin e atyre pak futbollistëve që patën fatin të luajnë për Barcelonën dhe Real Madridin, madje duke korrur suksese tek të dyja klubet.

Sidoqoftë, ai ishte në Kataloni për vetëm një sezon teksa në Madrid kaloi plotë pesë vite.

Në një intervistë me ikonën braziliane Romario, Ronaldo reflektoi mbi atë sezon që veshi fanellën e Barcelonës.

Specifikisht, ai foli për largimin e tij në vitin 1997, duke zbuluar se atij i ishte premtuar një kontratë e re nga klubi, para se të njoftohej më vonë se ishte shitur tek Interi.

“Ishte një grusht në fytyrë. Unë e doja qytetin, për mua ata kishin një problem të madh menaxhimi për një kohë të gjatë”.

“Rivaldo u largua duke luftuar. Ronaldinho u largua duke luftuar. Shikoni historinë që ka ndërtuar Barcelona me kaq shumë lojtarë të suksesshëm brazilianë, por në fund marrëdhënia u përkeqësua dhe përfundoi shumë keq”, ka thënë Ronaldo Nazario.

Ronaldo është ende i përfshirë në futbollin spanjoll pasi ai është pronar i Real Valladolidit, teksa ai identifikoi gjithashtu edhe bashkëlojtarin e tij më të mirë dhe më të keq gjatë pesë viteve sa luajti tek Real Madridi.

“Zidane ishte lojtari më i mirë. Ai ishte shumë ndryshe, kishte shumë klas dhe ishte shuëm teknik, e thjeshtë”.

“Bashkëlojtari më i keq? Ka shumë, shumë. Por ishte një tek Real Madridi, Thomas Gravesen. Ai ishte një mesfushor danez. Ai ishte një djalosh me të vërtetë i mirë, por në futboll ishte shumë i keq”, përfundoi legjenda braziliane.