Shkruan: Florim Zeqa

Nga zgjedhjet e vitit 2007 e deri më sot LDK-ja i ka humbur shtatë palë zgjedhje rresht në zgjedhjet parlamentare, ka pësuar humbjen më të thellë në vitin 2021, por kjo e fundit ështe më skandalozja në historikun e saj!

Dorëheqje kolektive e drejtuesve partiakë

Partia humbëse e të gjitha komunave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk i bën nder asnjë lloj koalicioni paszgjedhor për themelimin e qeverisë së re!

Edhe pse e renditur e treta, pa asnjë Komunë të fituar, LDK nuk e meriton të jetë në qeverisjen e vendit!

Drejtuesit e këtij subjekti politik duhet të respektojne verdiktin e popullit dhe të reflektojnë me dorëheqje para elektoratit për imazhin e dëmtuar të LDK-së shtetformuese.

Çdo tendencë për të kamufluar humbjen totale me ngritje të lehtë dhe parciale (personale) do t’i kushtoj LDK-së me humbje akoma më të thellë në zgjedhjet lokale të vjeshtës së këtij viti.

Elektorati Rugovian i LDK-së e ndeshkojë rëndë me mos votim “Rrugen e Re” të klanit Riinvest, duke i bërë të qartë kryetarit aktual dhe atij paraprak se nuk ka “Rrugë të Re” dhe as “Lidhje të Re” për LDK-në perpos asaj Rugoviane.

Mospërmbushja e premtimit elektoral e kryetarit Abdixhiku për fitore dhe vetëm fitore në zgjedhje dhe për qeverisje të LDK-së, duhet të pasohet me aktin moral të dorëheqjes, në të kundërtën, me asgjë nuk lahet turpi dhe dëmi i shkaktuar ndaj elektoratit rugovian, i cili që nga shkuarja në amshim e liderit historik (Ibrahim Rugova) nuk e ka shijuar asnjëherë kënaqësinë e fitores në zgjedhjet nacionale.

LDK duhet t’i harrojë koalicionet me pushtetin dhe me opozitën, duhet t’i kthehet vetëvetes dhe të korrigjoj gabimet serike të dy dekadave të kaluara dhe të gjejë rrugën e duhur për ringritjen e madhe çfarë e dëshiron elektoratit pasiv, i pakënaqur me udhëheqjen e LDK-së post-rugoviane.

Sikurse në zgjedhjet e vitit 2021, edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 pati rrjedhje të votave nga “kazani” i LDK-së në drejtim të LVV-së. Nga kush dhe si ndodhen rrjedhjet, u mbetet drejtuesve të LDK-së që t’i riparojne rrjedhjet e brendshme nga të ‘famshmit’ e partisë!

Deri në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nuk do të lëshohem në analizë më të detajuar të shkaqeve të humbjes së LDK-së. Mirëpo, kjo nuk është pengesë për drejtuesit partiak që të reflektojnë në menyrë imediate me dorëheqje kolektive.