Rruga “Murat Bafqari” në Tetovë tashmë 9 muaj është lënë në harresë nga autoritetet e Komunës së Tetovës.

Nga Komuna arsyetohen se vonesat kanë të bëjnë me procedurat rreth furnizimeve publike, por janë zotuar se do të ketë sanime të

të përkohshme të gropave deri në rregullimin përfundimtar të rrugës.

Sipas Komunës së Tetovës, dëmtimet në rrugë janë shkaktuar nga punimet për rregullimin e kanalizimit atmosferik. Ata nënvizojnë se vonesat kanë ardhur për shkak të procedurave për furnizimin publik.

Por, pas pyetjes së Klan Maqedoni, Komuna ka deklaruar se do të angazhohet të sanojë gropat deri në realizimin e plotë të punimeve.

“Arsyeja për vonesën lidhet me procesin e inicimit të procedurave për furnizime publike, i cili është në zhvillim e sipër dhe përzgjedhjes së operatorit për punët intervente. Ky proces është i nevojshëm për të siguruar që ndërhyrjet në rrugë të realizohen sipas standardeve dhe kërkesave ligjore. Ndërkohë, për të shmangur dëmtimet e veturave, do t’i sanojmë gropat e paraqitura deri në momentin kur do të bëhet rikonstruimi i plotë i rrugës” thonë nga Komuna e Tetovës.

Ndërsa banorët e Tetovës vazhdojnë të përballen me vështirësitë që sjellin dëmtimet në rrugë, mbetet për t’u parë se sa shpejtë do të përfundojnë procedurat për furnizimet publike dhe kur do të nisë rregullimi i plotë i rrugës “Murat Bafqari”.

Deri atëherë, ndërhyrjet e përkohshme mbeten e vetmja zgjidhje për të lehtësuar qarkullimin dhe për të shmangur dëmtimet e veturave.