Shpenzimet e NATO-s për Mbrojtjen do të jenë mbi 2%. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri Atlantike, Mark Rutte, për Bild Am Sonntag.

Sipas tij, deri tani më shumë se 2/3 e partnerëve të NATO-s shpenzojnë më shumë se 2% për armatime, por duhet të investojnë akoma më shumë.

“Për këtë do të vendosim me aleatët gjatë muajve në vijim, sesa më shumë saktësisht do të arrijmë të rrisim fondet, por për një gjë siguroj të gjithë”, ka vijuar Rutte, “që kjo shifër do të jetë shumë më tepër se 2%”, duke e theksuar 3 herë.

Holandezi ka kërkuar specifikisht nga Gjermania që të shtojë domosdoshmërisht shpenzimet për mbrojtjen, sikurse për gjithë vendet anëtare të NATO-s, duke nënvizuar fuqinë e ekonomisë gjermane, e duke kërkuar edhe rritje të prodhimit të armëve.

“Për të parandaluar luftën, duhet të përgatitemi për luftë, pasi është mënyra më e mirë për ta evituar”, ka përsëritur kreu i Aleancës.

Deklaratat vijnë pas një reagimi dhe kërkese të Presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar që shpenzimet të arrijnë të paktën në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për çdo vend anëtar, ndërkohë që SHBA ka qenë kontribuesi kryesor, me mbi 3% vitin e kaluar për Aleancën.